Çmimi i Madh i SHBA-ve mund të rezultonte fatal për fatet e një këmbësori në pistën e Miamit. Një prej policëve që ishte në shërbim ditën e garës së Formula 1 ishte duke kaluar rrugën në mënyrë të pakujdesshme teksa shpëtoi mrekullisht duke qenë se me shpejtësi po vinte Lando Norris.
Në xhiron e 57-të, britaniku iu drejtua bokseve për të ndryshuar gomat, por teksa ishte në hyrje të pit-lane, u detyrua të bënte një devijim të shpejtë për të shmangur kontaktin me këmbësorin. Për fat të mirë, Norris e zgjidhi shpejt situatën e vështirë edhe pse tashmë FIA ka nisur hetimin për të kuptuar të gjithë dinamikën.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që këtë sezon këmbësorët rrezikojnë jetën e tyre pasi edhe në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit, Esteban Ocon për pak sa nuk u përplas me një turmë e cila i ishte drejtuar bokseve për të festuar pas përfundimit të garës.