Gjatë legjislaturës aktuale (2021-2025), janë 21 deputet të cilët kanë humbur dhe dorëzuar mandatin parlamentar, ndërsa 3 të tjerë mund ta humbin në muajt e ardhshëm.

Kjo bëhet me dije nga një raport i publikuar i Institutit të Studimeve Politike, ku theksohet se nga këta 13 deputet janë të PS, 10 të PD dhe 1 i PSD.

‘Në mandatin e tretë të PS në qeverisje dhe në legjislaturën e 10-të të tranzicionit, kemi 21 deputetë që kanë ndërprerë kontratën e besimit me qytetarët votues (2021) dhe 3 të tjerë që mund ta humbasin mandatin në muajt e ardhshëm. Në total, rreth 160 mijë vota ose rreth 10% e votave të dhëna më 2021 nuk përfaqëson më në parlament.

Disa dhanë dorëheqje menjëherë pas zgjedhjes (informacione paraprake për hetim nga SPAK, për qenie në listën e zezë amerikane apo arsye të tjera të komoditetit personal), disa dhanë dorëheqje gjatë mandatit duke iu rikthyer bizneseve më fitimprurëse, disa u detyruan të japin dorëheqje pas skandaleve personale apo familjare dhe disa u detyruan për shkak të hetimeve nga SPAK apo dënimeve nga sistemi i drejtësisë”, thuhet në raport.

Sipas raportit, përfshirja në krye të listave të individëve me rekorde kriminale apo korruptive, me lidhje të forta informale dhe me dosje hetimore në proces, bëhet me qëllim për të përfituar votat e tyre klienteliste në zonë, pra me dijeni dhe ndërgjegje, duke injoruar standardet ligjore, politike dhe etike për integritetin e partive, integritetin e votës dhe integritetin e fushatës.

Po ashtu thuhet se, edhe kandidatët e pastër, kur pranojnë të hyjnë në zgjedhje në emër të një partie politike, kanë pranuar të përdoren politikisht dhe kanë marrë përgjegjësi publike, ndaj edhe ata do të duhej të dëshmonin respekt për votuesin, dhe në rast zhgënjimi personal me politikën, të ngrinin zërin për zhvillimet jodemokratike që kanë zbuluar/evidentuar./Shqiptarja