Ka përfunduar dëshmia e të penduarit të drejtësisë Luftar Reçit në lidhje me vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, ngjarje të ndodhura në vitin 2005.

 

Gjykata vendosi të shtyjë seancën më 3 prill për t’i dhënë kohë avokatëve për të pyetur dhe për t’u ballafaquar me të penduarin Luftar Reçi.

 

Nga burgu i Drenovës ku vuan dënimin, Reçi u transportua drejt GJKKO nën masa të rrepta sigurie pasi kërkesa e tij për të dëshmuar me skype nuk u pranua.

 

Me kërkesë të SPAK, trupi gjykues vendosi që seanca të mbahet me dyer të mbyllura, me argumentin se cenohet siguria e dëshmitarit dhe në të njëjtën kohë mund të bëhen të dhëna publike që mund të cenojnë procesin.

 

Më herët Luftar Reçi kundërshtoi përballjen në Gjykatë me Shullazin dhe anëtarët e tjerë të bandës së tij. Përmes një letre nga burgu, ai i ka kërkuar gjykatës të dëshmonte përmes “Skype”, pasi i rrezikohej jeta.

 

“Nuk kam më mundësi e as fuqi të paraqitem në gjyq. Kam ardhur 5 herë dhe gjyqi është shtyrë. Unë jam paraqitur për respekt të drejtësisë. Jam i sëmurë prej vitesh me diabet dhe probleme të tjera shëndetësore. Kërkoj të dëshmoj me skype. Nëse avokatët kanë dyshime, të jenë prezentë tek unë dhe 2-3 gazetarë. Kam arsye shëndetësore dhe sigurie vajtje-ardhje. Ardhja ime në gjykatë është si të dërgosh qengjin mes ujqërve”, thuhej në deklaratën e Reçit.

 

Kujtojmë se Luftëtar Reçi është personi që me dëshmitë e tij ka bërë që të rihapen dosjet e bujshme të dy vrasjeve të ndodhura në 2005-ën, ajo e Klodian Saliut dhe e biznesmenit Vajdin Lamaj.