Zyra e Komisionerit për Informimin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Zyrën e Prezencës në Shqipëri të Organizatë për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) zhvilluan në mjediset e gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër aktivitetin për prezantimin e gjetjeve të Rekomandimin Unifikues “Mbi respektimin e detyrimeve ligjore në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale për kontrolluesit e arsimit të mesëm të lartë”.

Në këtë takim mori pjesë Komisioneri për Informimin dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi si dhe Mauro Puzzo, drejtues i Departamentit Ligjor dhe të Drejtave të Njeriut pranë Prezencës së OSBE.

Sipas Prezencës së OSBE, mbrojtja e të dhënave personale nuk ka qenë kurrë më urgjente dhe fusha e arsimit nuk bën përjashtim.

Kjo veprimtari mblodhi dhjetëra pjesëmarrës të ardhur nga institucione arsimore publike dhe private nga Shkodra, Lezha, Kurbini, Tropoja, Malësia e Madhe dhe Vau i Dejës, si dhe zyrtarë nga bashkia dhe qarku Shkodër.

Në këtë veprimtari morën pjesë jo vetëm drejtues dhe mësues të shkollave, por edhe nxënës dhe prindër.

Prezenca e OSBE thekson se, përfshirja e të gjithë aktorëve luan një rol thelbësor në shpërndarjen e informacionit rreth legjislacionit dhe procedurave, si edhe në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale.

Ndërsa Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale në një njoftim e vlerëson si shumë të rëndësishëm procesin e ndërgjegjësimit dhe promovimit të një kulture shoqërore që ka si vlera parësore garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Zyra e Komisionerit thekson se, zhvillimi i të tilla takimeve rajonale ka ndikim në nxitjen e ndërveprimit në funksion të misionit për edukimin sa më cilësor të brezit të ri.

Në këtë Rekomandim janë evidentuar problematika që kanë të bëjnë më zbatimin korrekt të legjislacionit të fushës, sidomos, për rritjen e masave të sigurisë dhe ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave personale, veçanërisht gjatë përdorimit të rrjeteve sociale dhe platformave teknologjike.

Zyra e Komisionerit bën të ditur se, një kujdes i posaçëm, duhet t’i kushtohet të dhënave personale të fëmijëve/nxënësve nën 18 vjeç (të mitur), për të shmangur pasojat e rënda që mund të vijnë për shkak të publikimit online të të dhënave të tyre. Njëkohësisht, Zyra e Komisionerit prezantoi edhe parimet e modulit trajnues “Mbi mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësinë gjatë lundrimit në internet”, të hartuar nga institucioni.

Ky dokument u shërben strukturave arsimore për përdorimin e duhur të rrjeteve sociale, kujdesin për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale, si dhe rëndësinë e sigurisë online nga rreziqet që ndeshen në mjedisin digjital./ata