Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në shtator 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 31 mld lekë, duke u ulur me 8.5%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë .

Shifrat tregojnë se harta e eksporteve ka pësuar ndryshime të dukshme në muajin shtator të këtij viti. “Scan Intel” ka analizuar të dhënat për të kuptuar se cilët janë 10 partnerët kryesorë të Shqipërisë në tregtinë e jashtme dhe si ka ndryshuar pesha e tyre ndaj totalit të eksporteve.

Në fakt, shifrat vazhdojnë të konfirmojnë edhe në shtatorin e vitit aktual Italinë si eksportuesin më të madh. Ajo që vihet re nga harta e partnerëve kryesorë është dalja e Austrisë nga lista dhe hyrja e Shteteve të Bashkuara me një peshë ndaj totalit prej 9.3%.

Rikujtojmë se në shtatorin e vitit të kaluar SHBA-ja mbante vendin e 16-të dhe këtë vit ka zëvëndësuar Kosovën duke e spostuar atë në vendin e tretë në listë nga vendi i dytë që gëzonte në shtatorin e vitit të kaluar. Në vendin e katërt dhe të 5-të këtë vit është renditur Spanja dhe Greqia, e më pas ndjekin  Kina, Sllovakia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Por si ka ndryshuar pesha e këtyre shteteve nga shtatori i një viti më parë? Në vitin 2023, eksportet me Italinë zinin 48% të eksporteve totale ndërsa këtë vit kjo peshë është reduktuar me 7.3 pikë përqindje. Po njësoj edhe Kosova e ka ulur kontributin e saj në eksportet totale të Shqipërisë.

Ndërkohë, shtetet si Spanja dhe Kina e kanë rritur peshën e tyre në tregtinë me Shqipërinë me 2.5 pikë dhe 2.2 pikë përkatësisht. Edhe ndryshimet vjetore të përllogaritura për peshën e eksporteve me  Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Austrinë dhe Sllovakinë, tregojnë se këto shtete e kanë rritur peshën e tyre në tregtinë e jashtme  me 0.2 pikë përqindje dhe 0.3 pikë./Scan