Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha reagoi sot pas refuzimit nga ana e Partisë Demokratike për votimin dhe numërimin elektronik.

Ai cilësoi liderin demokrat, Sali Berisha si patericë të Ramës.

“Të flakësh në plehra betejën disavjeçare të demokratëve për votim dhe numërim elektronik, është një akt poshtërues, që dëshmon edhe njëherë se Berisha dhe grupimi i tij u shërbejnë vetëm interesave të tyre të vogla dhe meskine”, u shpreh Basha në rrjetet sociale.

“Pasi bashkoi votat me Ramën për amnistimin e turpshëm të të korruptuarve, pasi bashkoi votat me Ramën për mbylljen e listave, pas pazarit për vulën, Berisha ka humbur çdo legjitimim moral dhe politik, duke u shfaqur si paterica e Ramës, me të cilin ndanë të njëjtin fat”, deklaroi Basha.

Sipas tij, frika e tyre përballë qytetarëve, që e kanë kuptuar pazarin e pistë me sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore del sërish në sipërfaqe me pengimin e votimit elektronik, përmes të cilit duan të mbrojnë pushtetin e Ramës dhe teatër-opozitën e Berishës./ata