Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh sot për të miratuar rregullat për regjistrimin e votuesve dhe listat e zgjedhësve për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Me pesë vota pro, KQZ i dha “dritën jeshile” rregullave për votën dhe listat e zgjedhësve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Sipas rregullores së miratuar, çdo qytetar shqiptar, i cili jeton jashtë dhe kërkon të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare duhet të regjistrohet në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) të paktën 68 ditë përpara datës së votimeve. Sipas KQZ-së, zgjedhësit do të duhet ta shkarkojnë dhe të krijojnë një llogari të tyre, e cila është e aksesueshme dhe pa pagesë.

Po sipas KQZ-së, kjo llogari kërkon identifikimin biometrik me njohje të fytyrës, një kod unik i përkohshëm gjashtëshifror që i dërgohet zgjedhësit në numrin e tij të telefonit dhe e-mail, si dhe Numri Personal i Identifikimit.

Ndërkohë dokumentet që do të duhet të ngarkojë për t’u regjistruar janë: Certifikatë pronësie, vërtetim banimi, kontratë qiraje apo çdo lloj dokumenti të lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin, i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësit në një strukturë të caktuar.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, 63 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën paraprake me qëllim që zgjedhësit brenda 48 orësh të kërkojnë regjistrimin apo rregullimin e pasaktësive dhe tri ditë më vonë, ose 60 ditë para datës së zgjedhjeve, miraton dhe publikon në faqen zyrtare të internetit të KQZ listën përfundimtare të zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, e cila pas këtij momenti nuk ndryshon.

Sipas Kodit të ri Zgjedhor, vota e personave që jetojnë jashtë, llogaritet në qarkun ku ai/ajo ka jetuar përpara se të largohej nga Shqipëria.

Gjatë diskutimeve në mbledhjen e Komisionit Rregullator, njëri nga anëtarët, Muharrem Çakaj, u shpreh se i gjithë relacioni për votën e diasporës duhet të ketë parasysh dy elementë: Gjithëpërfshirjen dhe qartësinë.

Ndërsa, një përfaqësues i Partisë Demokratike dha dakordësinë e tij në parim për këtë draft, që maksimizon votën e shqiptarëve në zgjedhjet e vitit tjetër.

“PD dhe ne jemi pro votës së shqiptarëve me banim jashtë Shqipërisë, për të përfshirë të gjitha kategoritë. Pra, jemi të interesuar të ketë një masivizim të pjesëmarrjes, pra t’u jepet mundësia që të regjistrohen në këtë platformë dhe të votojnë. Ne kërkojmë që të ketë një thjeshtim të procedurave, që duken të komplikuara, por duhet të ketë edhe garanci që të ketë transparencë dhe të ecet në shinat ligjore. Shqetësimi ynë në këtë projektdraft është edhe fakti që parashikohet që zgjedhësit të regjistrohen vetëm me kartë apo pasaportë të vlefshme, por mund të ketë edhe dokumente të tjera të vlefshme, si patenta.

Të ketë një dispozitë për miratimin e një rregullatori për mbikëqyrjen e kësaj platforme dhe të kemi një prezantim të procesit, bashkë me një përshkrim vizual apo grafik se si bëhet procesi i regjistrimit nga pika e parë deri në pikën e fundit të procesit”, u shpreh ai./ata