Një delegacion i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i përbërë nga përfaqësues të Komisionit Rregullator dhe staf teknik, zhvilloi një vizitë studimore në Sarajevë, nga data 14 deri më 17 tetor.

Vizita ishte e fokusuar tek administrimi i votimit nga jashtë vendit. Vizita e organizuar nga Prezenca e OSBE-së vjen në një moment vendimtar për Shqipërinë, teksa KQZ-ja po harton akte nënligjore për të mundësuar pjesëmarrjen e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Delegacioni shqiptar u takua me përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bosnjë-Hercegovinës, zyrtarë që mbikëqyrin procesin e numërimit dhe përfaqësues të Misionit të OSBE-së në Bosnjë-Hercegovinë.

Gjatë takimeve, pjesëmarrësit diskutuan rregullat dhe procedurat për votimin nga jashtë, duke u fokusuar në regjistrimin e zgjedhësve që jetojnë jashtë vendit, përgatitjen e listave të zgjedhësve, procedurat e votimit, nxjerrjen e rezultateve dhe përdorimin e teknologjive të reja.

Zyrtarët shqiptarë u njohën me përvojën prej gati tri dekadash të Bosnjë-Hercegovinës në zbatimin e votimit nga jashtë vendit, përfshirë sfidat me të cilat ata janë përballur dhe zgjidhjet e zhvilluara gjatë viteve.

Theks i veçantë iu vu zgjedhjeve të fundit vendore, ku u morën masa për të rritur integritetin dhe gjithëpërfshirjen e votës nga jashtë.

Prezenca e OSBE-së e organizoi vizitën studimore si pjesë e projektit të saj “Mbështetje për reformën dhe procesin zgjedhor në Shqipëri”, financuar nga Suedia, Zvicra, Misioni i SHBA-së në OSBE dhe Polonia./ata