Azerbajxhani do të ndërtojë shtëpi me vlerë 100 milionë dollarë në zonat e tërmeteve në Türkiye, njoftoi ministri i Jashtëm azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov.

 

Bayramov mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve "Së bashku për Popullin e Türkiyes dhe Sirisë", të bashkëorganizuar nga Komisioni Evropian dhe qeveria suedeze, e cila mori presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së më 1 janar.

 

Duke folur në konferencë, Bayramov tha se menjëherë pas tërmeteve, ata dërguan një ekip prej 940 personash të përbërë nga ekipet e kërkim-shpëtimit, personel mjekësor dhe vullnetarë në Türkiye.

 

Ai më tej tha se kanë dërguar 5.300 tonë ndihma humanitare në Türkiye dhe kanë depozituar 45 milionë dollarë në llogarinë e organizatave përkatëse.

 

Bayramov shtoi se Azerbajxhani tani e tutje do të qëndrojë pranë vendit vëlla të Türkiye-s dhe do të vazhdojë mbështetjen financiare dhe teknike në përpjekjet e rindërtimit.

 

Më 6 shkurt, dy tërmete me magnitudë 7,7 dhe 7,6 ballë goditën Türkiye-n jugore dhe juglindore, duke marrë jetën e mbi 50 mijë njerëzve.

 

Rreth 13,5 milionë njerëz janë prekur në 11 provinca në Türkiye, si në Kahramanmaraş, Hatay, Gaziantep, Adiyaman, Malatya, Adana, Diyarbakır, Kilis, Osmaniye, Şanlıurfa dhe Elazığ.

 

Në Sirinë fqinje, të paktën 4.500 njerëz humbën jetën dhe më shumë se 8.700 të tjerë u plagosën./AA