Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se për herë të parë në historinë e vendit kemi persona të lidhur me pushtetin politik nën hetim apo të dënuar nga gjykata të pavarura.

Në podkastin “Flasim” Kryeministri u ndal te Reforma në Drejtësi, me të cilën Shqipëria ka shënuar progres edhe para partnerëve europianë.

“Ne bëmë heqjen dorë komplet të politikës nga gjyqësori dhe krijimin e këtyre forcave të reja brenda gjyqësorit, si SPAK, Gjykata Speciale etj, për të luftuar korrupsionin. Ne u ekspozuam bashkë me të tjerët, pasi jemi në pushtet, kemi detyrën ta ushtrojmë pushtetin me ndershmëri, efikasitet etj, por nuk jemi të imunizuar. Kemi patjetër brenda të gjithë masës të atyre që ushtrojnë pushtetin vulnerabilitet dhe mundësi të prekemi. Për herë të parë në historinë e vendit kemi persona të lidhur me pushtetin politik, me qeverinë në fuqi apo me ata që ishin në qeveri, në një raport shumë më të zhdrejtë, që janë nën hetim apo të dënuar nga gjykatat e pavarura”, tha Rama.

Duke folur për negociatat, Rama kujtoi se Shqipëria ngriti të parin sistem të inteligjencës artificiale për transferimin e ligjeve të BE-së në trupin ligjor të Shqipërisë.

“Faktikisht atë që Kroacia, që ishte rast shembullor, volumin e përkthimit dhe transferimit e ka bërër në 7 vjet, ne do ta përmbushim në 2 vjet e gjysmë. Ne kemi punuar me një plan. BE ka dinamikat e brendshme dhe janë të paparashikueshme, por në momentin kur të hapin derën ne do të jemi aty gati”, tha Rama./ata