Instituti Turk i Biografisë dhe Fondacioni për Studime Ballkanike kanë nënshkruar një protokoll në Librarinë "Rami" në Istanbul me qëllim për të kryer studime të përbashkëta biografike.

Sipas informacionit të shpërndarë nga Instituti, protokolli është nënshkruar midis dr. Sevba Abdula, kryetari i Fondacionit për Studime Ballkanike me seli në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, Ahmet Samet Yapar kreu i Fondacionit "İbnülemin Mahmut Kemal İnal" si dhe kreu i Institutit të Biografisë Erol Erdoğan.

Sekretari i Përgjithshëm i Institutit të Biografisë, dr. Rıdvan Kaşıkçı, vuri në dukje se në kuadër të protokollit të nënshkruar me Fondacionin për Studime Ballkanike do të kryhen studime të ndryshme të bazuara në biografi si në Türkiye ashtu edhe në vendet e Ballkanit.

Dr. Abdula u shpreh se gjeografia e Ballkanit ka një të kaluar të frytshme për studimet e biografisë dhe se informacionet, dokumentet, të dhënat dhe punimet që do të arrihen në përfundim të studimeve do të vihen në dispozicion si për akademinë ashtu edhe për të interesuarit jashtë akademisë.

Brenda fushëveprimit të protokollit, do të kryhen kërkime të përbashkëta, do të ndahen materialet kërkimore dhe informacioni akademik, përfshirë publikimet dhe të dhënat kërkimore.

Gjithashtu do të organizohen aktivitete të përbashkëta shkencore dhe akademike si konferenca, simpoziume, seminare dhe kongrese me tema akademike dhe shkencore./aa