Monika Kryemadhi, deputete e Partisë së Lirisë, reagoi sot në lidhje me deklaratën e SPAK për mediat, duke shprehur keqardhjen për mungesën e profesionalizmit dhe shkeljet e detyrimeve ligjore që ky institucion ka në ruajtjen e sekretit hetimor.

SPAK njoftoi më herët akuzat mbi të cilat u arrestua sot Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe u vendos në masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” për Kryemadhin.

Kryemadhi në reagimin e saj në rrjetet sociale kritikon publikimin e informacionit të pavërtetë nga SPAK, duke theksuar se gjatë hetimit ajo ka paraqitur prova shkresore dhe një akt ekspertimi të certifikuar për të vërtetuar pafajësinë e saj dhe të familjes së saj. Ajo shpreh shqetësim se vendimi prej 167 faqesh, ku mbështetet caktimi i masës së sigurimit personal nuk përfshin asnjë informacion lidhur me provat e saj.

“Sapo u njoha me deklaratën e SPAK për mediat dhe konstatoj me keqardhje mungesën e profesionalizmit dhe shkeljet e detyrimit ligjor që keni në funksion të ruajtjes së sekretit hetimor. Këtë detyrim iu a imponon neni 279 i Kodit të Procedurës Penale”, shkruan Kryemadhi.

“Në këtë deklaratë, ndër të tjera bëhet me dije nga prokuroria e posaçme se kjo çështje është ende nën hetim, ndërkohë që prokuroria vetë ofron për publikun si ushqim të dhëna të pavërteta për mua dhe familjen time, për të cilat, unë gjatë hetimit kam arritur të vërtetoj të kundërtën nëpërmjet provave shkresore dhe aktit të ekspertimit kontabël të certifikuar, që kam depozituar pranë SPAK prej kohësh.”, vijon Kryemadhi.

“Çuditërisht, në 167 faqe vendim, me të cilin është disponuar caktimi i masës së sigurimit personal, nuk pasqyrohet në asnjë rresht, asnjë e dhënë lidhur me provat që unë kam depozituar në mbështetje të pretendimeve të mia, të cilat rrëzojnë aludimet e SPAK.

Ju sot ligjërisht më keni komunikuar faktin se ndaj meje në cilësinë e personit nën hetim të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale është caktuar një masë sigure, ndërkohë që edhe pse kam ende cilësinë e personit nën hetim, ju, xhelatët e bindur të Edi Ramës politikisht shpreheni se unë dhe familja ime akuzohemi, ndërkohë që këtë gjë në fazë të hetimit, nuk mund ta bëni as ligjërisht, as publikisht.”, thekson Kryemadhi.

Ajo thotë se deklarata e sotme e SPAK duket si e shkruar në zyrën e Propagandës të Edi Ramës.

“Intimidimi i SPAK në bashkëpunim me Edi Ramën, ndaj gjyqësorit shqiptar, duke manipuluar opinionin publik përmes nxjerrjes së sekretit hetimor dhe duke paraqitur si fakte disa akuza të rreme dhe të pabaza, do të marrë përgjigjen e merituar në çdo shkallë të gjyqësorit brenda dhe jashtë vendit. SPAK mund të bëjë akuzën, por kurrsesi gjyqin! Kjo i takon vetëm gjykatës dhe përballja e gënjeshtrave me motivacion politik, me të vërtetat do të jetë kudo dhe ndaj kujtdo, me të njëjtën monedhë.”, thekson Kryemadhi./ata