Njoftohet se 11 protestues pro-palestinez u arrestuan në protestën e mbajtur në ndërtesën administrative të Universitetit Minesota në SHBA.

Sipas lajmit të CBS News, rreth 30 persona nga grupi që organizoi një protestë pro-palestineze përpara Morrill Hall, godinës administrative të universitetit, hynë në ndërtesë dhe vazhduan protestat e tyre këtu.

Raportohet se 11 nga protestuesit u arrestuan me arsyen se kanë shkaktuar dëme materiale dhe se kanë penguar hyrjet dhe daljet në ndërtesë.

Autoritetet e shkollës njoftuan evakuimin e të pranishmëve në Morrill Hall dhe paralajmëruan që edhe personat e tjerë të qëndrojnë larg nga zona deri në një njoftim të dytë.

Merlin Van Alstei, një nga organizatorët e grupit, në një deklaratë para arrestimeve tha se "ata që ndodhen brenda nuk do të largohen nga këtu deri në plotësimin e kërkesave tona ose deri kur ata të nxirren me forcë".

Në deklaratën me shkrim të zëdhënëses së universitetit thuhet se studentët që kanë hyrë në godinën administrative kanë mbuluar me bojë kamerat e sigurisë në godinë, kanë thyer xhamat brenda objektit dhe kanë ngritur barrikada në pikat hyrëse dhe dalëse të ndërtesës./aa