Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim sot me bizneset për rëndësinë e deklarimit real të pagave, theksoi se “çështja e sigurimeve shoqërore është çështje sigurie shoqërore, nuk është një çështje thjesht detyrimi formal”.

Kryeministri shpjegoi mekanizimin e funksionimit të skemës së pensioneve përmes mbledhjes së kontributeve shoqërore.

“Çfarë shteti mbledh nga kontributet e sigurimeve shoqërore që deklaron sipërmarrja në muajin shtator, i kalon menjëherë për pensione në muajin shtator. Dhe ky është mekanizmi faktikisht në pagesën e detyrimeve. Janë detyrimet ndaj sigurimeve shoqërore, sigurimeve shëndetësore janë edhe tatimet. Tatimi shkon në buxhet dhe investohet për projekte të ndryshme, ndërsa sigurimi shoqëror shkon nga banka ku jepet paga për punonjësin tek sporteli apo banka ku jepet pensioni”, sqaroi Rama.

Rama tha se “kush nuk paguan sigurimet shoqërore apo fsheh peshën reale të sigurimeve shoqërore, faktikisht vjedh nga ky transaksion”.

“Heq para nga vagonat e këtij treni që bën vajtje-ardhje mes kontributeve të paguara dhe pensioneve të marra. Lidhja është e drejtpërdrejtë. Në këtë tren duhet të transportohen të gjitha ato që u takojnë pensionistëve. Nga vjedhja ndodh që treni nuk niset dot për të shkuar te pensionistët, sepse i mungojnë çdo vit afro 500 milionë euro”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se çdo vit gjysmë miliard euro merret nga taksat dhe futet në këtë tren dhe bashkohet me shumën tjetër për të shkuar te pensionistët.

“Ata që nuk paguajnë sigurimet shoqërore bëjnë dy dëme në të njëjtën kohë. Dëmin e parë e bëjnë mbi pensionistët dhe dëmin e dytë mbi fëmijët e këtij vendi që kanë nevojë për një Shqipëri ku të ketë më shumë kopshte, shkolla, shërbime cilësore në të gjitha drejtimet. Faktikisht këto 500 milionë euro çdo vit duhet të rrinë për fëmijët, zhvillimin dhe të ardhmen, nuk duhet të shkojnë për kontributet e të shkuarës, aty duhet të shkojë pjesa e drejtpërdrejt nga sigurimet shoqërore. Kjo nuk ndodh siç duhet”, tha Rama.

Ndërkohë sipas tij aktualisht janë shtuar thuajse 300 mijë kontribuues në skemën e sigurimeve shoqërore.

“Ne e kemi nisur këtë punë me një situatë ku 60% e pagave ishin nën 40 mijë lekë. Sot 40 mijë është paga minimale në Shqipëri. Po ama sot nuk mund të vazhdojmë dot më kështu. Është rritur ekonomia, rriten çmimet për shkak të rritjes së gjithë zinxhirit të vlerave, rriten kërkesat dhe nevojat. Ndërkohë që pensionistët me plot të drejtë kërkojnë pjesën e tyre në këtë rritje. Janë e vetmja pjesë që nuk kanë pjesën e tyre në këtë rritje, por përkundrazi goditen”, tha Rama./ata