Shërbimet e ujësjellës kanalizmeve në Lezhë do të përmirësohen së shpejti.

Falë investimit prej 16 milionë euro nga BE-ja, KfW dhe SECO, 20 000 qytetarë do të përfitojnë një infrastrukturë më të mirë dhe ujë më të sigurt.

Në këtë investim përfshihet ndërrimi i tubave kryesorë të ujit në Shëngjin, puse dhe rezervuarë të rinj, plus rehabilitim i atyre ekzistues. Përmes tij synohet përmirësimi i trajtimit të ujërave të zeza për të përmbushur standardet e BE-së.

Gjithashtu përfshihet një ridizajnim i plotë i sistemit të ujërave të shiut për të parandaluar përmbytjet.

Kjo është pjesë e një programi më të madh prej 125.6 milionë eurosh në 6 rajone në Shqipëri, nga të cilat përfitojnë pothuajse gjysmë milioni njerëz, duke siguruar ujë më të pastër dhe një infrastrukturë më të qëndrueshme.

“Qëllimi ynë është të ndërtojmë një sistem të sigurt të menaxhimit të ujit dhe ta transformojmë Shqipërinë në një shoqëri të gjelbër dhe qarkulluese. BE-ja është e përkushtuar të përmirësojë cilësinë e jetës së shqiptarëve dhe t’u sigurojë atyre kushte më të mira jetese mjedisore, më pranë standardeve evropiane”, tha ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato./ata