Komisioni Evropian ka ndërmarë një hap kyç për të mundësuar pagesat e para për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes dhe reformave, duke miratuar në takimin e sotëm axhendat e reformave për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, sipas faqes zyrtare të Komisionit Evropian.

Komisioni Evropian tha se e mori këtë vendim pasi shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhanë miratimin e tyre për këto axhenda.

Bosnjë-Hercegovina ka mbetur vendi i vetëm për të cilin axhenda e reformave nuk është miratuar ende. Ky shtet ishte i vetmi që nuk dorëzoi në kohë axhendën e reformave.

“Në planet e tyre ambicioze të reformave, pesë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur përkushtimin për reformat thelbesore dhe socioekonomike të cilat do t’i ndërmarrin për të siguruar rritje dhe konvergjencë me BE-në në kuadër të Planit të Rritjes, gjatë periudhës 2024-2027”, sipas njoftimit të BE-së.

Plani i Rritjes ka një vlerë prej 6 miliardë euro, nga të cilat, 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formën e kredive të favorshme.

Krahasuar për kokë banori, Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë, pasi shteti do të përfitojë më shumë se 820 milionë euro.

Miratimi i axhendave të reformave është përshëndetur edhe nga presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.

“Jam e impresionuar me punën që kanë bërë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor në axhendat e tyre të reformave. Kjo dëshmon se ata janë të përkushtuar për ta bërë planin e rritjes një sukses. Ky është udhërrëfyesi ynë për t’i sjellë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor më afër nesh dhe për t’u ofruar ndërmarrjeve të tyre aksesin dhe mjetet për të konkurruar në tregun tonë unik. Të gjithë përfitojnë dhe është një hap i madh drejt BE-së”, tha Von der Leyen.

Axhendat e reformave përqendrohen në fushat me prioritet si ligji i së drejtës, të drejtat themelore, qeverisja, tranzicioni digjital dhe i gjelbër, kapitali njerëzor dhe zhvillimi i një mjedisi biznesi./ata