Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dha sot detaje nga takimi që ai dhe deputetë demokratë zhvilluan me kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister.

Bardhi u shpreh në rrjetet sociale se zyrtari i lartë europian ka shprehur gjithë vëmendjen dhe angazhimin për t’i dhënë mbështetje opozitës dhe rolit të saj në shoqërinë shqiptare.

“David McAllister, kryetar i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, është një mik i Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane. Një zë i fuqishëm jo vetëm në Parlamentin Europian, por edhe në Partinë Popullore Europiane (EPP). Welcome back to your family, ishte mesazhi i mirëseardhjes së tij për përfaqësuesit e grupit parlamentar të PD, duke iu referuar ripranimit të PD-së me të drejta të plota në EPP”, u shpreh Bardhi.

“Garancitë për zgjedhje të lira, barazia e palëve në zgjedhje, shteti ligjor dhe balanca mes pushteteve, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, shkëputja e menjëhershme e lidhjeve mes qeverisjes dhe krimit të organizuar, respektimi i Kushtetutës dhe hapësirës së opozitës, janë sfidat që Shqipëria ka përpara dhe që vënë në rrezik serioz demokracinë në vend”, vijoi ai.

Më tej, Bardhi shton se informimi me fakte e prova për situatën e rëndë që po kalon Shqipëria, do të ndihmojë në daljen nga rruga e errët e autoritarizmit.

“Ndërhyrja e krimit të organizuar në caktimin e kandidatëve për deputetë të partisë në pushtet, përdorimi i krimit të organizuar e parave të pista të korrupsionit në zgjedhje, sulmet e vazhdueshme ndaj opozitës nga ana e mazhorancës qeverisëse përmes burgosjes politike të lidershipit të opozitës, apo injorimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur zyrtarët e korruptuar të Qeverisë, nuk kanë asnjë lidhje me parimet dhe vlerat që duhet të udhëheqin një vend anëtar të NATO-s apo vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, theksoi Bardhi.

Sipas tij, përpjekjet e opozitës për të garantuar shtetin ligjor dhe zgjedhjet e lira në Shqipëri, janë rruga e vetme që e afron Shqipërinë në familjen europiane, mbështetja për të cilën nga Partia Demokratike ka qenë dhe do të mbetet e përhershme dhe e pa kursyer./ata