Në kantierin e aksit të ri rrugor Thumanë-Kashar, 21.05 kilometra të gjatë pjesë e Korridorit Blu, një ndër akset më të rëndësishme që lidh veriun me jugun, ka nisur procesi i asfaltimit dhe realizimi fizik i punimeve ka arritur në 65%.
 
Zv/kryeministrja njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me inxhinierët dhe teknikët zbatues të projektit inspektuan sot këtë aks rrugor i cili do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e automjeteve, në një prej zonave me fluksin më të dendur të qarkullimit.
 
Balluku theksoi se, ky është një nga kantierët e rëndësishëm të infrastrukturës rrugore, punimet për ndërtimin e të cilës pritet të përfundojnë këtë verë, duke lehtësuar qarkullimin e mjeteve në zonën e Fushë Krujës, por dhe të Rinasit, teksa solli në vëmendje se sot kemi 7 milionë pasagjerë që vijnë në Aeroportin e Rinasit, krahasuar me 2.3 milionë pasagjerë që ishin në vitin 2019.
 
Aksi mbi 20 km i gjatë është i shpejtësisë së lartë që përmbush të gjitha parametrat e sigurisë rrugore dhe punimet kanë përfunduar pothuajse në të gjithë trupin e rrugës, ndërsa është investuar në ndërtimin e 6 mbikalimeve dhe 6 nënkalimeve, 11 urave, 100 veprave të artit, por edhe rrugë aksesi për qytetarët.
 

Sipas Ballukut, procesi më i rëndësishëm është lidhja e nyjes së Rinasit që do të bashkërendohet edhe me bajpasin e Tiranës.

“Kjo është një autostradë e kategorisë A, me gjerësi 11.75 metra do të ketë 2 korsi shpejtësie dhe një korsi 3 metra të emergjencës. Kjo do të jetë e para autostradë në Shqipëri që e kufizuar me gardh ku nuk lejohet as hyrjet dhe daljet, duke rritur sigurinë e qarkullimit të mjeteve”, tha Balluku.

Ministrja informoi se për aksin vijues Kashar – Lekaj është përmbyllur gara është shpallur fituesi dhe po negociohet kontrata. këto autostrada do të shoqërohen me rrugë paralele dytësore, që do të jenë pa pagesë.

Balluku foli edhe për segmentet e tjerë të korridorit blu, duke shtuar se përveç autostradës do të ndërtohen edhe rrugë alternative, pa pagesë.

Ministrja foli edhe për investime të tjera rrugore, duke shtuar se përveç autostradës do të ndërtohen edhe rrugë alternative, pa pagesë për qytetarët.

“Brenda vitit 2030 Shqipëria do të jetë e ndërlidhur përmes autostradave, hekurudhave, porteve dhe aeroporteve, shumica prej të cilave për të përmbyllura dhe të tjera në zbatim duke i dhënë jetë planit të madh të transportit në vendin tonë sipas standardeve dhe kushte më të mira”, deklaroi Balluku./ata