Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria është vendi më pro Bashkimit Europian në Europë, ndërsa shtoi se “fanatikët e BE-së janë në Shqipëri”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama e falënderoi atë në emër të gjithë shqiptarëve për mbështetjen në procesin e integrimit europian.

“Ne si shqiptarë jemi të ndarë në pothuajse çdo gjë. Ne shqiptarët jemi në gjendje të bëjmë debat edhe për ngjyrën e murit atje, edhe për orën sa është sot, madje në momente të caktuara mund të bëjmë debat edhe për sa është data sot”, tha Rama.

Por sipas kryeministrit, “një gjë për të cilën shqiptarët nuk kanë asnjë debat është fakti që vendi i Shqipërisë është në BE dhe e ardhmja e fëmijëve tanë duhet të ndërtohet në BE”.

“Nëse ka një mision të përbashkët kombëtar të të gjithë shoqërisë, partive politike, forcave aktive në Shqipëri është që të kontribuojnë që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt. Mirëserdhët në vendin më pro BE-së në Europë, edhe brenda edhe jashtë BE-së! Ky është vendi. Fanatikët e BE-së janë në Shqipëri dhe këtë nuk e them unë, e thotë Barometri Europian”, tha Rama./ata