Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, iu përgjigj interesimit të gazetarëve edhe mbi protestën e deputetëve të opozitës para selisë së Parlamentit Europian në Strasburg dhe ndikimin që ka kjo situatë në procesin e integrimit në BE.

“‘Duhen dy për një tango’, thotë një fjalë. Kështu që nëse nuk ka një dyshe për një tango, atëherë ka vetëm një muzikë, që është muzika e BE-së. Dhe muzika e BE-së është e shkruar në mijëra partitura me detyra konkrete, me afate konkrete, me monitorim shumë të imtësishëm të këtyre detyrave, dhe patjetër, edhe me rezultate konkrete. Kështu që do të ishte shumë mirë, nuk diskutohet, që edhe në aspektin që pyetët ju të ndodhte, ashtu siç ishte e dëshirueshme, por nga ana tjetër ne nuk mund të qëndrojmë në vend dhe ta vajtojmë këtë situatë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “duhet të vazhdojmë përpara, të bëjmë detyrat dhe siç arritëm ta ulim Shqipërinë në tryezën e negociatave, ta ulim përfundimisht Shqipërinë në tryezën e Këshillit Europian, si një vend anëtar me të gjitha detyrat dhe të drejtat e veta, si çdo vend anëtar”.

“Kam shumë besim se më herët se sa vonë, kur ende ne do të jemi rrugës edhe kjo që ju sollët në vëmendje, që BE krejt normalisht e pretendon nga çdo vend që pretendon të futet në shtëpinë e përbashkët do të ndodhi. Është fillimi i fundit të një historie shumë të gjatë dhe më herët sesa vonë një histori e re do të fillojë edhe në këtë aspekt. Jam i bindur për këtë, por do të na duhet ende edhe ca durim”, tha Rama./ata