Parlamenti turk miratoi sonte një mocion për sulmin terrorist ndaj kompanisë së Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ), që shkaktoi vdekjen e të paktën pesë personave dhe la 22 të plagosur.

“Sulmi terrorist në objektet e Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës në Ankara më 23 tetor 2024 është një përpjekje e ndyrë kundër paqes dhe qetësisë së vendit tonë”, thuhet në mocionin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes.

Duke thënë se “asnjë fuqi” nuk mund të dëmtojë unitetin e Türkiyes, dokumenti shton se sulmet terroriste të mbështetura nga “fuqitë imperialiste dhe forcat e errëta” nuk mund të dëmtojnë paqen dhe stabilitetin e vendit.

“Qëllimi kryesor i këtij sulmi është të prishë përparimin tonë të vendosur drejt një industrie kombëtare të mbrojtjes dhe një Türkiye plotësisht të pavarur”, thuhet më tej.

Deklarata përsërit vendosmërinë e Ankarasë në luftën kundër terrorizmit dhe mbështetësve të tij.

Një shpërthim dhe të shtëna armësh u dëgjuan të mërkurën në objektet e TUSAŞ-it në rrethin Kahramankazan të Ankarasë.

Ministri i Brendshëm turk Ali Yerlikaya tha se pesë persona u vranë dhe 22 të tjerë u plagosën në sulm, ndërsa dy terroristë që sulmuan objektet u “neutralizuan”.

Yerlikaya njoftoi se terroristët e neutralizuar përgjegjës për sulmin u identifikuan si anëtarë të grupit terrorist PKK.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40.000 njerëzve./aa