Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha zhvilloi një takim me Lord Richard Keen, anëtar i Partisë Konservatore britanike dhe ministër i Drejtësisë në hije, ku diskutuan për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, ndikimin e krimit të organizuar në proceset zgjedhore dhe përparësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Basha theksoi se pavarësisht përpjekjeve të SPAK dhe GJKKO për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin, progresi nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri e përkushtuar për të luftuar paligjshmërinë dhe për të siguruar qeverisje të mirë.

“Korrupsioni i përhapur gjerësisht ka ndikuar negativisht në jetesën e shqiptarëve, gjysma e popullsisë jetojnë në varfëri, dhe numri i atyre që emigrojnë është me i larti në Ballkan. Hetimet e SPAK për zyrtarë dhe deputetë të Edi Ramës kanë faktuar ndërhyrjet e krimit të organizuar në proceset zgjedhore, duke deformuar vullnetin e shqiptarëve dhe si këmbim qeverisja është vënë në shërbim të organizatave kriminale”, tha Basha.

Basha ritheksoi rëndësinë që BE dhe NATO duhet t’i japin njohjes së Kosovës për stabilitetin e rajonit dhe përshpejtimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës, si interesi më i mirë i shqiptarëve dhe serbëve që bashkëjetojnë në Kosovë.

Gjithashtu, ai kërkoi përdorimin e aseteve të ngrira të Rusisë për rindërtimin e Ukrainës, si pjesë e një raporti të miratuar nga Këshilli i Evropës./ata