Shtetasit e huaj që kërkojnë të rinovojnë lejet për punësim do të ndjekin të njëjtat procedura, si në rastin e aplikimit të tyre për herë të parë.

Në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Brendshme, të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shërbimit Informativ të Shtetit, të botuar në Fletoren Zyrtare, përcaktohet se aplikimi për leje unike, apo ripërtëritje të këtij dokumenti, bëhet nga vetë i huaji, punëdhënësi ose personi i autorizuar.

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive shqyrton dhe aprovon online punësimin e shtetasve të huaj. Pas miratimit të bërë nga AKPA, autoriteti përgjegjës për lëshimin e Lejes Unike është struktura rajonale që mbulon çështjet e Kufirit dhe Migracionit.

Kërkesa për aplikim i drejtohet autoritetit përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin që mbulon territorin, ku i huaji ka ose do të ketë vendqëndrimin/vendin e punësimit/vendin e studimit në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Për shtetasit e huaj që aplikojnë për herë të parë për Leje Unike dhe që kanë nevojë për vizë tipi D, aplikimi depozitohet në portalin e-Albania.

“Për ripërtëritjen e Lejes së Qëndrimit, ose të Lejes Unike, ndiqet e njëjta procedurë si në rastin e kërkesës për pajisje për herë të parë, përjashtuar aplikimin për vizë për kategorinë e shtetasve të huaj që kërkojnë pajisjen me vizë të tipit D, kur aplikojnë për herë të parë”, citohet udhëzimi.

Afati i shqyrtimit të kërkesës do të jetë brenda 30 ditëve nga struktura e emigracionit. Nëse konstatohet se dokumentacioni i ngarkuar nga aplikanti është i paplotë ai do të njoftohet, për plotësimin e tyre brenda një afati 10-ditor.

Për rastet kur konstatohet se nuk janë përmbushur kriteret ligjore, kërkesa për aplikim do të refuzohet. Aplikanti do të njoftohet për refuzimin, duke i përcjellë edhe argumentet ligjore.

Në vlerësimin e aplikimit për Leje Qëndrimi ose Leje Unike sipas udhëzimit do të marrin pjesë strukturat përgjegjëse të autoritetit vendor dhe qendror të kufirit dhe migracionit, strukturat përgjegjëse të informacionit kriminal në Policinë e Shtetit, si dhe strukturat përgjegjëse të Shërbimit Informativ të Shtetit.

Struktura e migracionit do të kryejnë verifikimet nga sistemi, dhe për raste të veçanta do të kërkohet verifikimi nga SHISH./ata