Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj si dhe drejtuesja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Ekaterina Solovova nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi.

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se memorandumi i mirëkuptimit mes Ministrisë së Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit dhe BERZH-it është një hap i rëndësishëm, i cili përforcon vullnetin për të bashkëpunuar në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare në përgatitjen e tyre për tregjet evropiane, me anë të implementimit të një serie me 8 seminare me njohuri për programet e tregut të përbashkët europian.

“Partneriteti me BERZH-in është thelbësor për Shqipërinë, pasi ofron mbështetje financiare dhe ekspertizë që ndihmon në realizimin e projekteve të rëndësishme për rritjen ekonomike dhe integrimin në tregjet ndërkombëtare. Kjo nismë do të kontribuojë në forcimin e lidhjeve tona me BE-në dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset shqiptare”, tha ajo.

Ky program trajnimi i mbështetur nga EU-funded Enterprise Development and Innovation Facility (EDIF) do të zhvillohet përmes tetë workshop-eve të dedikuara, të cilat janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të fuqizuar NVM-të dhe për t’i pajisur ato me njohuritë dhe instrumentet e nevojshme për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare. Seria e trajnimeve mbi SMP do të fokusohet në rritjen e kapaciteteve të NVM-ve shqiptare dhe në përgatitjen e tyre për sfidat e tregjeve rajonale dhe evropiane.

Përfaqësues të lartë nga institucionet ndërkombëtare dhe shqiptare ndanë pikëpamjet e tyre mbi rëndësinë e këtij programi.

Kreu i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, Hubert Perr shprehu mbështetjen e plotë të Bashkimit Europian për zhvillimin e NVM-ve.

“Tregu i brendshëm i BE-së është një nga arritjet më të mëdha të Unionit. Ai stimulon konkurrencën, rritjen dhe inovacionin, si dhe drejton tranzicionet e gjelbra dhe digjitale të Europës. NVM-të shqiptare duhet të përgatiten për një integrim të suksesshëm në tregun e brendshëm të BE-së paraanëtarësimit të vendit në BE. Kjo është arsyeja pse BE po hap “Programin e Tregut të Brendshëm të BE-së” për NVM-të shqiptare”, tha ai.

Ekaterina Solovova, drejtoresha e BERZH-it në Shqipëri, theksoi rolin e rëndësishëm që BERZH do të luajë në këtë proces.

“Ne jemi krenarë të ndihmojmë SME-të shqiptare për t’u përgatitur më mirë për Tregun e Përbashkët të BE nëpërmjet një serie seminaresh që adresojnë nevojat specifike të bizneseve lokale. BERZH ndihmon në rritjen e konkurrueshmërisë të SME-ve Shqiptare përmes asistencës teknike, shërbimeve të konsulencës dhe linjave të dedikuara të financimit”.

Ndërsa Ardian Kamenica, drejtor i departamentit të Politikave dhe Integrimit Europian, e përshkroi programin si një mundësi për NVM-të shqiptare për të përforcuar kapacitetet e tyre dhe për të përmbushur standardet evropiane./ata