Bukuritë e Shqipërisë, që nga majat e Alpeve të thepisura, brigjet magjepsëse të rivierës shqiptare dhe të Adriatikut, sitet e trashëgimisë UNESCO, monumentet e trashëgimisë kulturore dhe ata natyrorë, parqet kombëtare, fshatrat e bukur turistikë nga veriu në jug, kulinaria dhe prodhimet tradicionale tërhoqën 9.7 milionë të huaj gjatë 9 muajve të këtij viti.

Instituti i Statistikave, INSTAT publikoi sot raportin e lëvizjes së shtetasve sipas të cilit numri i të huajve që kanë vizituar vendin tonë përgjatë periudhës janar-shtator arriti 9 680 030 shtetas, ose 16.7 % më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë kur vendi ynë u vizitua nga 8 294 600 shtetas.

Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në mbi 90 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë tek të afërm, etj.

Mbi 9.2 milionë shtetas të huaj që vizituan vendin tonë ishin nga Europa, rreth 260 mijë ishin shtetas amerikanë dhe mbi 77 mijë ishin nga Azia Lindore dhe Paqësori.

Ndërkohë, shifrat tregojnë trendin drejt një turizmi gjithëvjetor. Vetëm në shtator, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1 146 090. Ky numër është rritur me 3.8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Gjatë 9-mujorit, rritje të ndjeshme kanë pasur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale, me rreth 57 %./ata