Këtë vit Shqipëria regjistron 40 % më shumë rezervime për këtë sezon turistik. Në vijim të inspektimeve në bashkitë bregdetare në nisje të këtij sezoni turistik veror, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro  u ndal në bregdetin e Shëngjinit.

E shoqëruar nga kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ministrja Kumbaro u shpreh se Lezha ka krijuar një model për menaxhimin e mbetjeve.

“Në takimet me disa operatorë hotelierë na thanë që presin 40% më shumë turistë se viti i kaluar. Të njëjtën shifër na e vërtetojnë edhe hyrjet në kufi, edhe nga fluturimet, madje më lart, në Rinas që do të thotë, në mënyrë proporcionale ky +40% na konfirmohet në të gjitha drejtimet, prandaj do ta kemi më të madhe sfidën”, tha ajo.

Kryebashkiaku Pjerin Ndreu tha se qytetarët e Shëngjinit mund të zgjedhin plazhe publike në çdo hapësirë të bregdetit.

“Plazhi publik vazhdon atje në znjë zonë, është ku, atje. Pra 30% është ruajtur”, tha ai.

Gjatë inspektimeve në bregdet ministrja Kumbaro e ka vënë theksin tek bashkëpunimi i qytetarëve dhe sidomos i bizneseve me bashkitë për menaxhimin e mbetjeve.

Më herët, në fillim të muajit maj u amenduan ndryshimet ligjore parashikojnë rritjen deri në 30% të kundravajtjeve mjedisore dhe duke i kthyer ato në titull ekzekutiv.

Rreth 974 mijë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit Maj 2024, duke e çuar në më shumë se 3.3 milionë shifrën totale të flukseve turistike hyrëse në pesë muajt e parë të vitit në vendin tonë./Tema