Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ishte në një takim me një grup pensionistësh në Gjirokastër, nga ku foli për situatën e pensioneve dhe nismat që qeveria ka ndërmarrë në drejtim të kësaj grupmoshe të shoqërisë këto 10 vitet e fundit.

“Me gjirokastritët e zemrës për të prezantuar programin e qeverisë për pensione më të larta dhe dinjitoze, pa diskutim të merituara në emër të gjithë mundit, përkushtimit dhe trashëgimisë që prindërit e gjyshërit na kanë lënë pas”, thuhet në postimin e Kumbaros.

Ministrja tha se çdo vizitë në këtë qytet, është një përvojë më vete për të, si ministre dhe si pjesë e kabinetit Rama.

“Kur je ministër apo drejtues politik mendon se i di të gjitha, por jo nuk i di të gjitha! Unë kam mësuar në këto 10 vite të jetës sime politike si socialiste, i bëj këtu në Gjirokastër. E bëj me gjirokastritët, ngado që kemi ardhur dhe kudo ku kemi lindur, sepse të jetosh në këtë komunitet, e kam krenari dhe përgjegjësi. Sidomos me ju, sepse jeni brezi i sakrificës, jeni brezi që ju ra për pjesë të kaloni ndoshta tranzicionin më të vështirë që ka kaluar një shoqëri. Kur ndodhin përmbysje të mëdha politike, sociale apo intitucionale, ato shoqërohen edhe me pasoja në jetën e përditshme, si edhe me pasoja financiare. Dhe sidomos për disa prej jush që janë pjesë e një historie që shkon përtej 45-ës, jeni si monumente të gjalla dhe shyqyr që ju kemi dhe ju paçim sa më gjatë”, tha ministrja.

Duke bërë një krahasim me situatën e pensioneve, Kumbaro u kthye pas në kohë duke rikujtuar faktin se pse niveli i kontributeve shoqërore, pagat e nëndeklaruara dhe marrja e njërës pagesë në dorë, ka çuar në situatën që është sot.

“Pikërisht në vitin 2014 kuptuam që gropën më të madhe, e kishte krijuar shteti ndaj pensionistëve. Një pjesë prej jush kanë 10, 20, 30, 40 vjet apo edhe pesë vjet që kanë dalë në pension dhe ju e dini që pensionet që marrim sot, janë kontributet sociale që paguan secili nga ne që është në rrogë. Kontributet që keni paguar ju janë pensionet që kanë marrë ata para nesh, prindërit tanë, prindërit tuaj, ndërkohë që ju ishit në punë. Ai tranzicioni ishte periudhë me shumë gropa financiare, shumë prej jush më kanë treguar që kur kanë qenë në punë kanë marrë një rrogë të deklaruar dhe një të padeklaruar. Kanë kujtuar se kanë marrë një librezë ku shënohen kontributet shoqërore, e kur sistemin e hodhëm në kompjuter na dilte që punëdhënësit privat kanë gënjyer, pra nuk i kanë hedhur vitet në sistem. Prandaj qeveria në këto 10 vite ka ndërmarrë disa hapa se jo vetëm pensionet janë të vogla, por edhe rrogat kanë qenë të vogla. Rroga minimale ishte 150 mijë të vjetra dikur dhe problemi zgjidhet në sistem, nuk zgjidhet duke mos paguar mjekët, mësuesit apo policinë.

Kjo zgjidhet duke pastruar sistemin nga hajdutëria. Tjetër gjë që kemi bërë për njerëzit në pension janë marrëveshjet me shtetet e huaja ku kanë punuar shqiptarët, për njohjen e viteve të punës. Kanë punuar në Itali, Gjermani, në vitin 2014 asnjë nga vendet nuk kishte marrëveshje me shtetin shqiptar për t’ua njohur. Sot kemi mbi 20 marrëveshje. Akoma nuk e kemi mbyllur me Greqinë, por presim që ata ta miratojnë në parlament”, tha ministrja./ata