Një 35 vjeçar i shpallur në kërkim për plagosjen me armë zjarri të një 32 vjeçari në muajin shkurt të këtij viti është vendosur në pranga. Autori është identifikuar si Emirjon (Mirush) Hasaj.

Gjykata e Shkodrës i ka caktuar Hasaj masën e sigurisë 'Arrest me burg' për veprat penale 'Plagosja e rëndë me dashje' dhe 'Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit'.

"Në vijim të kontrolleve bazuar dhe në inteligjencën policore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim,  shërbimet e Komisariatit të  Policisë Malësi e Madhe,  kapën në Bajzë dhe ndaluan shtetasin E(M). H., 35 vjeç, banues në fshatin Pjetroshan.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Ky shtetas më datë 29.02.2024, në Koplik, dyshohet se për motive të dobëta,  ka qëlluar me armë zjarri pistoletë dhe ka plagosur në këmbë shtetasin G. D., 32 vjeç", informoi sot policia.

Më 29 shkurt 2024, 35 vjeçari gjatë një konflikti për motive të dobëta në Koplik qëlloi me pistoletë në këmbë, Genti Dulaj, 32 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Shqiptarja