Skënder Brahimaj, një nga figurat më të dashura dhe legjendare të futbollit vlonjat, u nda sot nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar për sportin shqiptar.

I lindur më 19 Shtator 1936, në Lepenicë të Vlorës, Brahimaj nisi karrierën e tij futbollistike me ekipin e Flamurtarit në moshën 17-vjeçare. Në vitin 1962, ai u shpall një nga 10 futbollistët më të mirë të Shqipërisë, një arritje që do të vuloste një karrierë 20-vjeçare në fushë. Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai vijoi si trajner futbolli dhe mësues i edukimit fizik.

Në vitet ’80, Brahimaj u emërua trajner i ekipit të Tepelenës, ku zbuloi dhe përgatiti talentin e ardhshëm të futbollit, Fotaq Strakosha. Në periudhën 1990-2000, ai mori drejtimin e ekipit të Flamurtarit, ku shërbeu si trajner dhe më pas si Shef i Klubit, duke edukuar një brez të ri futbollistësh të njohur si Uran Xhafa, Gëzim Troqe, Cane Ahmeti, Kreshnik Çipi, dhe sërish Strakosha.

Pasioni dhe përkushtimi i Skënder Brahimajt për futbollin e kanë kthyer atë në një ikonë të sportit, jo vetëm për Vlorën, por për të gjithë komunitetin sportiv shqiptar./ata