Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik diskutoi dhe votoi sot mbi projektligjin “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

Ky projektligj ka kaluar nëpërmjet një procesi të gjatë konsultimi dhe diskutimi me të gjithë aktorët e përfshirë si përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Akademia e Shkencave, Konferenca e Rektorëve, me sindikatat e Arsimit etj.

Drejtuesja e seancës, deputetja Evis Kushi, ia kaloi fjalën fillimisht relatores Desantila Tahiraj, e cila tha se ky projektligj erdhi si propozim i Këshillit të Ministrave dhe iu paraqit për shqyrtim Kuvendit, si nevojë për rregullimin e një situate të caktuar.

“Problemi kryesor që kërkon të adresojë e zgjidhë ky projektligj lidhet me performimin joeficient të institucioneve dhe qendrave kërkimore në Republikën e Shqipërisë. Produkti shkencor ka rezultuar në nivele jo aq të kënaqshme sa është pritshmëria”, tha Tahiraj, sipas të cilës, dihet që ka potenciale në vend dhe ligji i ri do t’i menaxhojë dhe aktivizojë më mirë këto potenciale.

Efektet e pritshme të këtij ligji janë: Sigurimi i produkteve të kërkimit shkencor që mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm të vendit; mbrojtjen e mjedisit e shëndetit publik si dhe konsolidimin e identitetit dhe mbrojtjen e interesave tonë kombëtare; ngritjen e kapaciteteve të personelit shkencor dhe nxitjen e karrierës shkencore duke siguruar mundësi të barabarta.

Deputetja Oriela Nebiaj nuk ishte dakord me termin “analizojnë” lidhur me kompetencat e Këshillit Kombëtar Shkencor, gjë për të cilën deputeti Petro Koçi ra parimisht dakord por, sipas tij, procesi i kërkimit shkencor është përgjegjësi e qeverisë dhe s’mund të rrijë jashtë përgjegjësive të qeverisë. Deputeti Koçi tha se, është gjë tejet pozitive që sugjerimet e Konferencës së Rektorëve për ndryshimin e raporteve në Këshillin Kombëtar Shkencor, u pranuan.

Deputet e Partisë Demokratike nuk ishin të pranishëm në punimet e Komisionit të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik, kjo për shkak të aksionit politikë të ndërmarrë nga kjo forcë politike. Partia Demokratike kërkon që projektligji i ri për kërkimin shkencor në Shqipëri të tërhiqet, pasi sipas saj, bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligje të tjera, si ligji “Për Arsimin e Lartë” dhe ligjin “Për Akademinë e Shkencave”.

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, tha se nesër ky projektligj është futur për miratim në komisionin përgjegjës, pa rregullore, për ta miratuar dhe kaluar në seancë plenare.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik më pas vijoi me diskutimet nen për nen, si dhe votimin e 41 neneve dhe në tërësi të këtij projetkligji, i cili do të kalojë për miratim në seancë plenare./ata