Komisioni i Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Sejko u ndal në punën që ka bërë BSH për rritjen e informimit dhe transparencës me publikun, ku veçoi përdorimin e një sërë kanalesh mediatike, për komunikim shpjegimin sa më të qartë të rolit të BSH, objektivin e saj në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe përmbushjen e këtyre objektivave.

Ai tha se dezinformimi mund të dëmtojë rëndë stabilitetin financiar të një vendi, duke keqinformuar qytetarët dhe bizneset lidhur me sigurinë dhe qëndrueshmërinë e bankave dhe sigurinë e kursimeve të tyre.

“Në këtë kontekst, dezinformimi është po aq i rrezikshëm, sa sulmet kibernetike”, u shpreh Guvernatori.

Sejko tha se, “misioni i BSH është ruajtja e stabilitetit të çmimeve përmes politikës monetare si faktor kryesor në rritjen ekonomike të vendit. Në funksion të këtij qëllimi BSH ushtron dhe një sërë funksionesh të rëndësishme, duke kontribuar që sistemi financiar të jetë i qëndrueshëm dhe paratë e qytetarëve të jenë të sigurta”.

Ai vuri theksin tek investimi në sistemet infrastrukturore për të pasur një mbrojtje sa më të lartë të sigurisë së informacionit.

Banka e Shqipërisë është në proces përditësimi të kuadrit rregullator për mbrojtjen e rrezikut të teknologjisë së informacionit dhe rrezikut kibernetik.

“Në bashkëpunim me zyrën e asistencës teknike të Departamentit Amerikan të Thesarit po kryhet rishikimi dhe përshtatja e rregullores së BE-së, Dora, për një përqasje sa më të plotë të rregullores së mbikëqyrjes së rrezikut të teknologjisë dhe informacionit dhe kibernetik. Kjo rregullore pritet të miratohet nga Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së muajin që vjen”, tha Sejko.

Sejko më tej tha se ka patur sulme kibernetike, por sistemi i ka rezistuar atyre.

Sejko tha se, “ka pasur sulme kibernetike në mënyrë të vazhdueshme. Kemi dy kategori ndërhyrjesh, ndërhyrjet me sulme ndaj sistemeve të teknologjisë dhe informacionit që kanë bankat e nivelit të dytë dhe Banka e Shqipërisë, i gjithë sistemi financiar”.

“Ndërhyrja e dytë është përmes keqinformimit që synon të krijojë panik dhe të keqinformojë klientët e bankave të nivelit të dytë dhe qytetarët lidhur me gjendjen financiare.

Të dyja këto janë njëlloj të rrezikshme. Sistemi bankar, pavarësisht këtyre ndërhyrjeve ka rezultuar i qëndrueshëm dhe nuk është goditur. Me përjashtim të një rasti që është menaxhuar, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të jemi të sigurt. Për këtë arsye ne kemi marrë masa dhe po punojmë me bankat e nivelit të dytë”, theksoi Guvernatori.

Sejko tha se dy vitet e fundit sulmet kibernetike drejt sistemit bankar janë shtuar.

“Në një rast ka qenë një sulm i fortë kibernetik ndaj një banke që nuk ka cenuar llogaritë bankare, si pasojë e masave të marra, por informacionin, të dhënat. Por falë koordinimit të punës dhe forcimit të masave nga 11 bankat tregtare, sistemi bankar ka rezultuar imun ndaj goditjeve kibernetike”./ata