Gjirokastra vazhdon të mbetet një prej atraksioneve kryesore të turizmit në vend dhe kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të ndajë disa pamje nga ky qytet.
“Rrugicat e pazarit të Gjirokastrës së rilindur, që gdhihen çdo ditë plot me vizitorë nga e gjithë bota”, shkruan Rama në postimin në Facebook.
“Qyteti i gurtë” në jug të vendit, vazhdon të mbetet një ndër destinacionet më të vizituara nga turistët. Rrugët me kalldrëm, qyteti i vjetër me kalanë dhe lagjet e tipit osman, ndërtuar mbi kreshta janë tashmë të mbushura plot, në çdo stinë. Qendra muzeale e qytetit është destinacioni fillestar, pasi të gjithë turistët e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.
Ndër destinacionet më të preferuara për vizitorët janë pazari, banesat e ndryshme karakteristike dhe muzetë e qytetit të cilët vazhdojnë të ngelen më të veçantët për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja.
Fluksi gjithnjë e në rritje i turistëve në qytetin e mbrojtur nga UNESCO, po angazhon edhe shumë strukturat lokale për të pasuruar akoma më shumë guidën turistike, duke e bërë Gjirokastrën një nga pikat kryesore të turizmit në vend./ata