Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet në kuadër të sfidës së parë kualifikuese kundër Polonisë, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’.

 

Mesfushori kuqezi, Anis Mehmeti, i cili aktivizohet në ekipin e Bristol City-t në kampionatin anglez doli këtë të mërkurë, në një konferencë për media, ku foli për atmosferën në ekipin kuqezi dhe objektivat për sfidën ndaj Polonisë më 27 mars në Varshavë.

 

Mehmeti u shpreh se, ftesa nga kombëtarja është tashmë një ëndërr e realizuar për të dhe familjen e tij, ndërsa theksoi se është gati të luajë nga minuta e parë kundër Polonisë.

 

I pyetur nëse ka ndikuar lëvizja në merkaton e janarit për të marrë ftesën nga Kombëtarja ai tha se, “Po sigurisht, lëvizja në Janar, Bristol City, jam i lumtur që më kanë thirrur në Kombëtaren Shqiptare”.

 

Ai shtoi se, është gati për të luajtur në sulmin kuqezi. “Po, unë jam gati të luaj edhe sulmuesin majtas edhe sulmuesin 10-sh. Jam gati të bëj gjithçka”, tha Mehmeti.

 

Sa i përket objektivit kundër Polonisë, Mehmeti u shpreh se, “shkojmë në Poloni me qëllimin për të fituar. Kemi skuadër shumë të fortë dhe gjithë ata lojtarë që luajnë për kampionat janë shumë të fortë dhe po, besoj që do shkojmë në Poloni për të fituar”.

 

Për ftesën nga Kombëtarja shqiptare, Mehmeti tha se, “është ëndërr për mua dhe për familjen që të luaj për Kombëtaren shqiptare dhe të vesh fanellën kuqezi. Kam folur edhe me trajnerin Silvinjo”.

 

Ai gjithashtu u shpreh se, është gati për të luajtur nga minuta e parë kundër Polonisë. “Jam gati që të luaj nga minuta e parë në Poloni dhe të jem pjesë e formacionit titullar”, theksoi Mehmeti.

 

Sa i përket ekipit të Polonisë, Mehmeti tha se, “Polonia ka një skuadër shumë të fortë, por ne jemi të përqëndruar tek ajo që do bëjmë ne në fushë. Ata kanë Levandovskin, por ne jemi gati të luajmë lojën tonë”.