Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov tha se përpjekjet perëndimore për të izoluar vendin e tij dhe për të mposhtur Moskën në luftën e vazhdueshme në Ukrainë "janë dhjetëfishuar".

Duke folur në Kongresin e 8-të Botëror të Bashkatdhetarëve Rusë që jetojnë jashtë vendit, Lavrov u shpreh se "perëndimi kolektiv" i udhëhequr nga SHBA-ja "ka dhjetëfishuar" përpjekjet e tij për të frenuar sistematikisht Rusinë dhe ka lëshuar agresion hibrid në shkallë të plotë kundër Moskës zyrtare me qëllim që të shkaktojë "disfatë strategjike".

Duke shprehur se situata në skenën ndërkombëtare "nuk është bërë më e lehtë", Lavrov tha se SHBA-ja dhe NATO kanë "deklaruar hapur synimin e tyre për ta shtyrë Rusinë në margjinat e zhvillimeve globale”.

Lavrov i përcaktoi këto përpjekje si "të destinuara për dështim", duke thënë se Moska po vazhdon "operacionin e saj special ushtarak" dhe do të arrijë objektivat e saj të përcaktuara nga presidenti Vladimir Putin.

Ai gjithashtu tha se përpjekjet për të izoluar Rusinë në arenën ndërkombëtare kanë dështuar, duke argumentuar se vendet me shumicën e popullsisë botërore po forcojnë lidhjet e tyre me Moskën në formate dhe fusha të ndryshme, duke iu referuar si dëshmi samitit të 16-të të organizatës BRICS të mbajtur në qytetin rus Kazan.

"Popujt e Jugut dhe Lindjes globale e kuptojnë se një Rusi sovrane dhe e fortë është faktori më i rëndësishëm në formimin e një rendi botëror të drejtë shumëpolar, të bazuar jo në fjalë, por në vepra, në parimet e Kartës së OKB-së, jo në mënyrë selektive, por në tërësi dhe në ndërlidhjen e tyre", tha Lavrov, duke shtuar:

"Një rend i tillë botëror do të përfaqësojë interesat e gjithë njerëzimit, dhe jo vetëm një grusht shtetesh të 'miliardit të artë'"./aa