Kuvendi i Shqipërisë është përfshirë nga tensionet sërish, pasi deputetët e opozitës të përjashtuar nga punimet e parlamentit janë përplasur me punonjësit e Gardës dhe nxorën jashtë sallës së seancave plenare disa karrige të deputetëve.

Tensionet nisën në ambientet e jashtme të sallës së seancave parlamentare, ku deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), të përjashtuar për të marrë pjesë në seancë plenare për shkak të tensioneve në seancat e kaluara, u përplasën me punonjësit e Gardës së Shqipërisë.

Deputetët opozitarë tentuan disa herë që të hyjnë në ambientet e brendshme të sallës, ndërkohë u penguan nga punonjësit e Gradës në ambientet e jashtme të sallës së seancave plenare.

Disa nga deputetët e opozitës mbanin pankartat me mbishkrimet "Zgjedhje të lira dhe të ndershme", "Kemi nevojë për qeveri, jo për kartel droge", "Stop persekutimit politik të opozitës", dhe pankarta me mbishkrime të tjera.

Pas tensioneve në ambientet e jashtme, seanca plenare vazhdoi me diskutimet për rendin e ditës, ku është planifikuar të diskutohet për Projektligjin "Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë".

Sipas autoriteteve shqiptare, projektligji i kushton vëmendje zhvillimit të shkencës dhe aktiviteteve të tjera të ngjashme ose plotësuese të saj dhe organizimit dhe funksionimit të veprimtarive shkencore.

Ndërkohë, disa deputetë të opozitës tentuan të bllokojnë foltoren dhe diskutimet për rendin e ditës të seancës plenare.

Nga ana tjetër, gjatë seancës një grup ish-minatorësh protestuan në ambiente e jashtme të parlamentit, sipas tyre, për të kërkuar miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë të një ligji që të përcaktojë statusin e minatorit.

 

- Kuvendi i Shqipërisë fillimisht u përfshi nga tensionet në fund të shtatorit

Kuvendi i Shqipërisë fillimisht u përfshi nga tensionet në fund të shtatorit, ku deputetët e opozitës pas përplasjeve dhe tensioneve brenda sallës së seancës dogjën edhe karriget e tyre në ambientet e jashtme të parlamentit.

Për shkak të tensioneve në seancat e kaluara, Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën pranë Kuvendit të Shqipërisë ka përjashtuar nga punimet e Kuvendit disa deputetë të opozitës.

Tensionet nisën për shkak të dënimit me 1 vit burg të ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji, i cili aktualisht ndodhet në burg. Salianji është akuzuar nga autoritetet se disa vite më parë ka publikuar një audio-përgjim të rremë në lidhje me trafikun drogës dhe përfshirjen e një të afërmi të ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Fatmir Xhafaj.

Më 26 shtator të vitit 2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë la në fuqi vendimin e dhjetorit të vitit 2019 të shkallës së parë për dënimin me 1 vit burg për ish-deputetin Salianji për veprën penale "kallëzim i rremë".

PD pretendon se vendimi i gjykatës së apelit është i padrejtë dhe politik dhe vazhdon bllokimin e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë./aa