Deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, e kanë vlerësuar me pozitivitet Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, derisa deputetë nga opozita kanë thënë se raporti ka edhe mjaft kritika për përparimin në vend.

Në seancën paralmentare në Kuvendin e Kosovës, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, tha se Komisioni Evropian vlerësoi që Kosova ka arritur dukshëm kapacitetet e saj koordinuese dhe implementuese në agjendën e integrimit në Bashkimin Evropian (BE).

"Ky raport evidenton përparimin e Kosovës në fusha të rëndësishme që përfshijnë reformat institucionale, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal. Pasi që të kemi përmbledhur këtë raport, shohim se nuk ka fusha të vlerësuara me regres, si në vitet e kaluara", theksoi Ujkani.

Deputetja Ujkani tha se raporti vë në pah se Kosova ka kaluar një shkallë më lartë në shumë fusha, siç janë, lufta kundër korrupsionit, reformat në administratë publike, politikat ekonomike, arsimi, kultura e të tjera.

Por, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, vuri në dukje mangësitë të cilat janë përmendur në Raportin e Progresit, për Kosovën. Ai tha se raporti ka vlerësuar se sa i përket sundimit të ligjit, reforma në gjyqësor është penguar nga ndryshimet legjislative të nxituara dhe pa konsultime të plota.

Selmanaj tha se tek liria e shprehjes, Kosova e ka marrë goditjen më të madhe ndonjëherë, bazuar në raportet e përvjetshme të Komisionit Evropian.

"Veçanërisht, peizazhi mediatik dhe liria e shprehjes në Kosovë, janë të kufizuara nga mungesa e mbrojtjes nga Qeveria, ndërkohë që pavarësia e transmetuesit publik mbetet nën kërcënim serioz", theksoi deputeti Selmanaj duke cituar raportin.

Ai tutje tha se mangësitë në reforma ligjore, gjyqësor, prokurim publik, administratë publike dhe lufta anti-korrupsion, menaxhimi mjedisor dhe zhvillimi rural, tregojnë se Kosovës i duhen reforma gjithëpërfshirëse për një rrugë të qëndrueshme drejtë anëtarësimit në BE.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas publikimit të raportit, reagoi nëpërmjet rrjeteve sociale duke vlerësuar se "ky ishte raporti më negativ që ka marrë vendi ndonjëherë".

Krasniqi tha se sipas raportit, Kosova është duke ecur prapa në të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të mediave, si dhe në drejtësi.

"Mesazhet kryesore që dalin prej tij janë të qarta: Kosova mbetet nën sanksione! Kosova është duke u keq-qeverisur! Kosova është duke ecur prapa në të drejtat dhe liritë e njeriut, lirinë e shprehjes dhe të mediave, si dhe në drejtësi! Tri shtylla themelore mbi të cilat ndërtohet dhe funksion shteti demokratik dhe zhvillimor, janë në stagnim apo regres", shkroi ai.

Raporti i Progresit i KE-së për Kosovën, të cilin ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ia dorëzoi formalisht kryeministrit Albin Kurti të mërkurën, vlerëson në pikat e tij kryesore pozitivisht liberalizimin e vizave si një hap që pritet të përmirësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen.

Ai vlerëson përkushtimin e Kosovës për përputhshmërinë me politikat e BE-së, nga ku veçohet linjëzimi me politikën e jashtme të BE-së, një hap që reflekton angazhimin për bashkëpunim dhe integrim të plotë në familjen evropiane./aa