Ushtria izraelite bombardoi spitalin "Kamal Adwan" në pjesën veriore të Gazës, duke plagosur katër mjekë.

Ministria e Shëndetësisë në enklavën e bllokuar palestineze njoftoi për dëme të mëdha në granatimet që synuan katin e tretë të spitalit, ku ishin ruajtur ilaçet dhe pajisjet mjekësore.

Drejtori i spitalit, dr. Hossam Abu Safiya tha se katër pjesëtarë të personelit mjekësor pësuan djegie nga sulmi izraelit. "Sulmi ka shkaktuar zjarre në seksionet ku mbahen njerëz të lënduar dhe furnizime mjekësore", tha Abu Safiya.

"Ne u detyruam të linim pacientët të vdisnin për shkak të ndërprerjes së operacioneve kirurgjikale", tha ai, duke e cilësuar situatën në spital si katastrofike.

Ushtria izraelite u tërhoq të shtunën nga spitali pas një bastisjeje intensive që filloi të premten, duke lënë pas vetes një skenë shkatërrimi, me viktima të shumta mes civilëve palestinezë dhe dëmtime të mëdha strukturore.

Sipas drejtorit Abu Safiya, qindra pacientë, personel mjekësor dhe njerëz të zhvendosur u mbajtën brenda spitalit gjatë bastisjes izraelite, gjatë së cilës ai u arrestua dhe u mor në pyetje nga ushtria.

Ushtria izraelite ka vazhduar sulmin vdekjeprurës në veri të Gazës që nga 5 tetori për të parandaluar Hamasin nga rigrupimi, duke zbatuar një rrethim shkatërrues në zonë. Palestinezët, megjithatë, akuzojnë Izraelin se synon të pushtojë zonën dhe të zhvendosë me forcë banorët e saj.

Që atëherë, ushtria izraelite nuk lejon hyrjen e ndihmave humanitare, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe karburantin, duke e lënë shumicën e popullsisë atje në prag të urisë.

Më shumë se 1.000 njerëz janë vrarë në veri të Gazës që nga fillimi i ofensivës, sipas Shërbimit të Mbrojtjes Civile Palestineze. Në luftën e Izraelit ndaj Gazës, që nga sulmi i Hamasit i vitit të kaluar janë vrarë mbi 43.100 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 101.500 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për veprimet e tij në Gaza./aa