Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole ka pritur sot Pierre Raynaud, këshilltarin për Bashkëpunimin dhe Kulturën në Ambasadën franceze në Shqipëri. Në takim ka qenë i pranishëm edhe eksperti i qeverisë franceze, Jérôme Lebars, i cili tashmë është i atashuar në institucionin e prefekturës Korçë, për të punuar lidhur me projektin e çeljes së Liceut Francez në këtë qytet, një kërkesë e kryeministrit Rama që u mirëprit nga presidenti Macron, në vizitën e tij në vendin tonë.

Ky ishte takimi i dytë i Komitetit Pilotues për bashkëpunim mes institucioneve qendrore e vendore me ekspertin e qeverisë franceze.

“Në këtë takim u analizuan anketimet e kryera, nëpërmjet pyetësorëve të shpërndarë nga eksperti në komunitetin e prindërve dhe fëmijëve, për të kuptuar më shumë mbi ndjeshmërinë e tyre mbi projektin e Liceut Francez”, deklaroi prefekti Jole për ATSH-në.

Jole tha se, për realizimin e detyrës së ngarkuar nga kryeministri, institucioni i prefektit po mbështet ekspertin francez dhe asiston nga afër procesin, duke siguruar ndihmën dhe bashkëpunimin e institucioneve në nivel qendror dhe vendor.

Më tutje, prefekti u shpreh se, ky projekt është vazhdë e traditës së miqësisë më të mirë mes dy vendeve dhe do të zgjerojë hapësirën për një perspektivë të re për shumë të rinj të qarkut të Korçës e më gjerë, të cilët në të ardhmen mund të zgjedhin këtë shkollë për arsimin e tyre të mesëm, duke i krijuar vetes mundësinë edhe për studime universitare në Francë./ata