Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nick Abbott kërkoi sot miratimin e mekanizmit për parandalimin e korrupsionit.
Në fjalën e tij në takimin që Kryeparlamentarja Elisa Spiropali zhvilloi në kryesinë e Kuvendit me organizatat e shoqërisë civile, Abbott shprehu mbështetjen e qeverisë britanike për Parlamentin dhe shoqërinë civile në Shqipëri.
“Ne punojmë nga afër me këtë partner. Përgëzojmë Parlamentin për miratimin e shqyrtimit postlegjislativ dhe dëshirojmë të shohim gjithashtu miratimin e mekanizmit e parandalimit të korrupsionit”, tha ai.
“Të gjithë jemi dakord që shoqëria civile ka një rol kyç në përmirësimin e transparencës së llogaridhënies të institucioneve publike në një vend demokratik. Partnerët tanë kanë ofruar metoda të dialogut me shoqërinë civile nëpërmjet paneleve të qytetarëve”, u shpreh Abbott.
Më tej, ambasadori Abbott vuri theksin tek nevoja që Parlamenti të ushtrojë me efektivitet mekanizmat kushtetuese për të garantuar transparencën dhe përfshirjen e shoqërisë civile si jetike për zhvillimin e demokracisë.
“Është e nevojshme që Parlamenti të ushtrojë me efektivitet mekanizmat kushtetutese për të garantuar transparencën dhe përfshirjen e shoqërisë civile si jetike për zhvillimin e demokracisë”, tha ai.
“Parlamenti duhet të angazhohet në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme në dialogun me shoqërinë civile dhe të përdorë mekanizima ekzistues dhe të rinj për të garantuar transparencën duke rritur kështu besimin e qytetarëve në proceset qeverisëse dhe vendimmarrëse”, nënvizoi Abbott.
“Mirëpresim çdo nismë që i jep rëndësi strukturave të shoqërisë civile duke fuqizuar rolin e saj, si një aktor kyç në demokraci”, theksoi ai./ata