Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, sot në një postim në rrjetet sociale theksoi angazhimin për të promovuar praktika të avancuara bujqësore që rrisin cilësinë dhe përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare në kultivimin e luleshtrydhes.

Sipas saj, “specialistët e Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Fushë-Krujë, në bashkëpunim me Albano Tronka, janë angazhuar në një projekt të rëndësishëm për zhvillimin e kultivimit të luleshtrydhes në Frakull, Fier. Tronka ndjek kultivimin e kësaj kulture në një sipërfaqe prej 15 hektarësh”.

“Projekti synon vlerësimin e ndikimit të plehërimit në rendimentin dhe treguesit cilësorë të luleshtrydhes, si dhe testimin e biostimulantëve inovativë në kultivimin e saj në serra. Ky angazhim është pjesë e përpjekjeve për të promovuar praktika të avancuara bujqësore që rrisin cilësinë dhe përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare”, u shpreh Denaj./ata