Kandidati opozitës së bashkuar për bashkinë e Himarës Petraq Gjikuria deklaroi sot se “të dielën do të përfundojmë me sukses rrugëtimin tonë për të sjellë në Himarë ndryshimin e madh për të gjithë”.

Në fjalën e tij në mitingun përmbyllës të fushatës për zgjedhjet në bashkinë e Himarës, Gjikuria tha se “Himara dhe himaritotët kanë shumë vite por sidomos vitin e fundit që janë në një trysni politike, mediatike dhe administrative të paimagjinueshme”.

“Himara për shkak të votës së pro ndryshimit u ndëshkua duke mos lejuar që vota dhe vullneti i saj të lexohej e të mos zbatohej”, tha Gjikuria.

Duke folur për Belerin, Gjikuria tha se “Fredi është në burg edhe e gjithë Himara është e burgosur. Fredi do të lirohet për dy muaj, kurse Himara do të çlirohet në 4 gusht. Himara nxori eurodeputetin e parë dhe u integrua e para”, nënvizoi Gjikuria.

Më tej Gjikuria foli për 3 shtyllat e qeverisjes së punës së tij, nëse fiton zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Himarës.

“Tre shtyllat e programit tim janë qeverisje me përkushtim dhe ndershmëri; qeverisje për komunitetin dhe në bashkëpunim me komunitetin; bashkëpunim me këdo faktor politikë socialë- ekonomikë për interesin e Himarës dhe banorëve të saj”, u shpreh Gjikuria.

Gjikuria tha se “bashkia që unë do të drejtoj do të jetë pro pronarëve të ligjshëm dhe autoktonë, kush ka pronë ta marr ndershmërisht e ta marrë e ta gëzojë të gjitha këto prona do të regjistrohen ne kadastër”.

Të dielën, 4 gusht në Himarë do të mbahen zgjedhjet për kryetarin e bashkisë, ku garojnë për opozitën e bashkuar, Petraq Gjikuria dhe për Partinë Socialiste, Vangjel Tavo./ata