Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila mban postin e kryetares së Komisionit të Medias, ka komentuar për Progres-Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke theksuar situatën e rënduar të lirisë së medias, që cilësohet si një nga pikat më kritike në raport.
Zhupa deklaron: “Qeveria dhe Parlamenti nuk kanë kryer detyrat e tyre, ndërsa klima dhe situata e lirisë së medias është përkeqësuar. Propozimet e mia ligjore që synonin zbatimin e rekomandimeve janë rrëzuar me votë.”
Ajo i drejtohet mazhorancës qeverisëse, duke kërkuar që: “të mos injorohen përsëri rekomandimet e Progres-Raportit, të mos refuzohet çdo nisëm e opozitës që është në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve dhe të mos kontribuohet në kapjen e institucioneve dhe intimidimin e gazetarëve, siç ka ndodhur deri tani.”
Reagimi i plotë i znj. Zhupa:
“Situata e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias është kritike dhe është vënë në dukje në Progres-Raportin e Bashkimit Evropian.
Qeveria dhe Parlamenti nuk kanë kryer detyrat e tyre, dhe klima e medias është përkeqësuar. Propozimet tona ligjore, të cilat synojnë zbatimin e rekomandimeve, janë rrëzuar me votë.
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk u zbatuan dhe mbeten të vlefshme. Shqipëria duhet të përmbushë disa kërkesa kyçe:
→ të miratojë ndryshime në kuadrin ligjor për të rritur transparencën e pronësisë së mediave, për të dekriminalizuar plotësisht shpifjen dhe për të përshtatur dispozitat civile për shpifjen sipas standardeve evropiane, bazuar në një dialog të strukturuar dhe gjithëpërfshirës me aktorët e mediave;
→ të sigurojë zero tolerancë për intimidimin dhe ndjekje efektive gjyqësore për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, si dhe të rrisë kapacitetet e organeve të zbatimit të ligjit për të trajtuar rastet e dhunës;
→ të përmirësojë kushtet e punës për gazetarët shqiptarë, veçanërisht duke forcuar mbrojtjen e të drejtave të punës dhe sociale për gazetarët dhe duke garantuar që kodi i punës të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme.
Raporti shpreh shqetësimin se shpifja ende trajtohet si një krim, i ndëshkuar me gjoba të larta penale. Dispozitat e ligjit civil për publikimin e informacionit të rremë ose të pasaktë duhet të përputhen me standardet evropiane. Kodi Penal nuk parashikon mbrojtje të veçantë për gazetarët nga dhuna, sulmet ose kërcënimet gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
Për përmirësimin e këtij indikatori, kam propozuar ndryshime ligjore, por ato janë votuar kundër nga mazhoranca dhe nuk janë miratuar. Kjo tregon qartë mungesën e vullnetit për të përmirësuar situatën.
Raporti ngre gjithashtu shqetësime për ‘pavarësinë e Autoritetit të Regullimit Audio-Visual (AMA), e cila nuk është e garantuar për shkak të rrezikut të ndikimit politik dhe korporativ mbi procedurat e emërimit të anëtarëve të bordit të AMA, lidhjeve politike të kryetarit të AMA dhe anëtarëve të bordit, si dhe mangësive në zbatimin e Kodit të Transmetimit për median, që transmeton përmbajtje politike të regjistruara gjatë fushatave zgjedhore.’ Gjithashtu, gjendja e RTSH-së, ku ‘pavarësia e transmetuesit publik nuk është e garantuar dhe duhet të forcohet’, është një tjetër çështje e rëndësishme.
Si kryetare e Komisionit të Medias, i bëj thirrje qeverisë të mos injorojë përsëri rekomandimet e Progres-Raportit, të mos refuzojë çdo nisëm të opozitës që shkon në përputhje me kërkesat e ndërkombëtarëve dhe të mos kontribuojë në kapjen e institucioneve dhe intimidimin e gazetarëve, siç ka bërë deri tani.”/EuroNews