Nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, u zhvillua sot në Kryesinë e Kuvendit aktiviteti me temë “Bashkëpunimi Kuvend-Shoqëri Civile për përmirësimin e transparencës, pjesëmarrjes qytetare në proceset legjislative e mbikëqyrëse, të integrimit europian, realizuar nëpërmjet një dialogu civil informues, të strukturuar e bazuar në fakte”.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare dhe kryetarë të komisioneve parlamentare.
Në nisje të aktivitetit Spiropali theksoi se rritja e bashkëpunimit të Kuvendit të Shqipërisë me Shoqërinë Civile përmes informimit, konsultimit, dialogut dhe partneritetit, do të vijojë të jetë prioritet me qëllim konsolidimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi mbi baza institucionale.
“Dëshiroj të vlerësoj pasionin për të bërë këtë shumësi aktesh qytetarie që kërkon gazerma e fortë morale dhe kjo hapësirë e madhe lirie, që quhet shoqëri civile. Si një ish-aktiviste e shoqërisë civile mund të them se aktivizimi në shoqërinë civile nuk është profesion. Ai është pasion. Nuk është një punë për gra nazike dhe burra të përkorë, por është një sfidë për njerëz pasionantë që nuk presin të fitojnë, por janë gati të sakrifikojnë. Për bindje dhe për ide.
Ti japim fund formalitetit dhe praktikës që në bashkëpunimin mes institucioneve dhe shoqërisë civile të kënaqemi me fruta artificiale. Në vendin tonë po ndodh diçka e pazakontë, përtej asaj që mund të quhet kronikë e ditës, me funksionimin e balancës dhe kontrollit mes tre pushteteve. Të pamësuar me një gjë të tillë, të ngatërruar ndoshta dhe nga titujt e ditës, pikërisht ky është thelbi i të sotmes dhe projeksioni i asaj që do të ndodhë në të nesërmen, ku ndryshimi epokal kuptohet me vështirësi. Ky gurthemel i shtetndërtimit reflekton pikërisht këtë realitet të ri. Dhe duke pasur këtë parasysh, mendoj, që edhe roli i Kuvendit në raport me shoqërinë civile dhe e anasjellta duhet ridimensionuar.
Dje Ambasadori Gonzato na dorëzoi raportin e Progresit për Shqipërinë për vitin 2024, i cili pas momentit historik të 15 tetorit, mbajtjes së Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe celjes së grup/kaputilluit Themeloret, ishte një tjetër lajm i mirë për shqiptarët. Do të doja shumë që ky takim me ju të shërbejë për të ndarë ide e mendime sesi ky proces mund të jetë më i shpejtë, më gjithëpërfshirës dhe më i ekuilibruar.
Unë ju kam ftuar në këtë dialog, për të ndarë me ju sfidat e Kuvendit jo vetëm për procesin e anëtarësimit në BE, por edhe për përgjegjësitë tona për ligjëbërjen dhe kontrollin parlamentar. Njëkohësisht njoh edhe përgjegjësinë se ky bashkëpunim mund të kishte shkuar më mirë dhe mund të kishte qenë më produktiv, nëse, ashtu siç e vlerëson edhe Raporti i Progresit, zbatimi i kuadrit dhe detyrimeve tona ligjore për procesin e konsultimit publik do t’i kishte shpëtuar në disa raste formalizmit.
Në dritën e Raportit të Progresit, Kuvendi do të punojë për rritjen e produktivitetit dhe transparencës së bashkëpunimit me shoqërinë civile, që jo vetëm të kemi standarte ligjore dhe institucionale bashkëkohore, por edhe një zbatim të tyre, të bëjmë plotësisht funksional regjistrin elektronik të organizatave të shoqërisë civile, të krijojmë një bazë solide dhe nxitëse për aksesin e shoqërisë civile në burimet publike të financimit, kontributin në shoqëri etj.
Prandaj, rritja e bashkëpunimit të Kuvendit me shoqërinë civile përmes informimit, konsultimit, dialogut dhe partneritetit, do të vijojë të përbëjë prioritet, me qëllim konsolidimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi mbi baza institucionale. Shoqëria civile nuk është në “luftë” të vazhdueshme me shtetin. Ju jeni në fakt, në luftë me armiqtë e shoqërisë së lirë, me kundërshtarët e shtetit demokratik, me minuesit e demokracisë funksionale, të sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës dhe lartësimit të të drejtave të njeriut.
Sot, si Kryetare e Kuvendit, jam këtu t’ju them se në këtë luftë jemi e do të jemi në krah të njeri-tjetrit, me Kuvendin, grupet parlamentare, komisionet e përhershme dhe të posaçme, me secilin prej deputetëve”, u shpreh Spiropali.
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, gjatë fjalës së saj përgëzoi Kuvendin e Shqipërisë për rritjen e bashkëpunimin me Organizatat e Shoqërisë Civile, si dhe shprehu mbështetjen në vazhdim për Kuvendin e Shqipërisë dhe Organizatat e Shoqërisë Civile.
“Zvicra mbështet Parlamentin e Shqipërisë. Pranojmë sfidat me të cilat shoqëria civile përballet. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur shoqërinë civile që të jetë një partner edhe më i fuqishm në rrugëtimin e Shqipërisë”, u shpreh Huber.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u shpreh se kjo nismë synon të promovojë një bashkëpunim më të ngushtë të Parlamentit dhe Shoqërisë Civile.
”Organizatat e Shoqërisë civile kanë rol të rëndësishëm. Parlamenti ka ndërmarrë procese të rëndësishme sa i takon transparencës. I bëj thirrje Parlamentit të përfshijë sa më shumë këto organizata në punën e tij. Qeveria dhe Parlamenti duhet të sigurojnë një nivel sa më të lartë transparence. Do angazhohem për të krijuar më shumë mundësi për dialog dhe shkëmbim të drejtpërdrejtë të organizatave të shoqërisë civile dhe BE-së”, u shpreh Gonzato.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nick Abbott, shprehu mbështetjen e Britanisë së Madhe ndaj Parlamentit të Shqipërisë dhe Organizatave të Shoqërisë Civile në Shqipëri.
“Shoqëria Civile ka rol kyç në përmirësimin e transparencës së institucioneve të një vendi demokratik. Parlamenti duhet të garantojë transparencë dhe të bashkëpunojë më shumë me Shoqërinë Civile”, u shpreh Abbott.
E ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, Nancy VanHorn, gjatë fjalës së saj nënvizoi se Shoqëria Civile ka rëndësi të veçantë në vendet demokratike si Shqipëria dhe se mbështetja e SHBA-së ndaj tyre nuk do të mungojë.
“SHBA-të mbështesin Shoqërinë Civile në Shqipëri. Çdo vit mbështesim mbi 30 organizata në Shqipëri. Shqipëria ka mjaft sfida. Falenderoj të gjithë përfaqësuesit e Shoqërisë Civile dhe Kuvendin e Shqipërisë që na mikpriti. Shoqëria Civile nxit një demokraci më gjithëpërfshirëse. Ambasada e SHBA mbështet punën tuaj që po bëni në rrugën drejt BE-së”, u shpreh VanHorn.
Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, u shpreh se një takim i tillë ka rëndësi të veçantë për të forcuar rolin e Shoqërisë Civile në Shqipëri.
”Prezenca e OSBE në Shqipëri është një prezencë pranë Shoqërisë Civile. Bashkëpunojmë me Shoqërinë Civile që nga fillimi i kësaj Prezence 27 vite më parë. Prezenca e OSBE organizon takime të vazhdueshme dhe Shoqëria Civile mund të adresojë sfidat e saj. Jam i impresionuar nga niveli profesional, mënyra e punës së përfaqësuesve të Shoqërisë Civile. Më vjen mirë që po forconi bashkëpunimin mes Parlamentit dhe Shoqërisë Civile”, u shpreh Tarran.
Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Fiona McCluney, në fjalën e saj theksoi se ka shumë fusha ku Shoqëria Civile është aktive në Shqipëri dhe mund të jetë një partner konstant në të gjitha reformat.
“Shpresoj të vazhdoni dialogun si një hapësirë për ndryshim në të ardhmen”, shpreh McCluney.
Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Klotilda Bushka, gjatë fjalës së saj u shpreh se takimi i sotëm flet shumë për transparencën e Kuvendit të Shqipërisë.
“Krijimi i një mjedisi mundësues për Shoqërinë Civile është shumë i rëndësishëm. Patjetër që ka vend për përmirësim. Kemi nisma të shoqërisë civile që i kemi marrë në konsideratë dhe i kemi shqyrtuar. Shqetësimi qytetar, shqetësimi juaj vjen tek ne”, u shpreh Bushka./Opinion