Akuakultura në Shqipëri përfaqëson një sektor të rëndësishëm me potencial të madh për zonat bregdetare.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se në vitin 2023 akuakultura e peshqve dhe molusqeve zuri 48.6 % të prodhimeve të detit.
 
“Si një sektor në rritje vit pas viti, prodhimet e së cilit janë të pasura me Omega 3 dhe konsumojnë pak ujë në përgjigje të ndryshimeve klimaterike, në sektorin e akuakulturës në 10 vitet e fundit është rritur 3.8 herë prodhimi për kategorinë e peshqve”, informoi Denaj.
 
Denaj theksoi se përmes legjislacionit shqiptar për akuakulturën, që përcakton zonat prioritare të zhvillimit të saj, MBZHR është e angazhuar për të promovuar dhe mbështetur rritjen e prodhimeve në 30,000 ton deri në 2030, duke kontribuar njëherazi në mirëqenien e konsumatorit vendas dhe atij të huaj./ata