Në kantierin e Lungomare 3, Vlorë-Orikum, një prej investimeve më të rëndësishme në qytetin bregdetar, po vijon me ritme të mira puna për këtë investim strategjik që zgjeron hapësirën e turizmit cilësor të Vlorës.
Kryeministri Edi Rama postoi sot në rrjetet sociale pamje nga punimet që po kryhen në Lungomare 3.
“Lungomare 3 në Vlorë, në aksin e Radhimës, ku janë ndërtuar bankina që ndikojnë edhe zgjerimin e plazheve përmes riorientimit të valëve të ujit, ndërkohë që po ndërtohet shëtitorja buzë rrugës si edhe po hapet traseja e një bajpasi mbi segmentin e hoteleve e restoranteve në Radhimë, ku rruga aktuale automobilistike do të kthehet në pedonale turistike”, theksoi Rama.
Rama u shpreh se “ky investim strategjik zgjeron hapësirën e turizmit cilësor të Vlorës dhe krijon kushtet optimale për vijimin me Lungomaren 4 në zonën e Orikumit, duke e bërë Vlorën qytetin bregdetar me shëtitoren më të gjatë në Mesdhe”.
Ky është një projekt i financuar nga BERZH, në kuadër të programit për zhvillimin e turizmit dhe punimet përfshijnë transformimin cilësor të hapësirës publike, ku do të mbillen pemë do të krijohen zona për këmbësorët, për biçikletat, duke mundësuar një frymëmarrje krejt të re për Vlorën turistike./ata