Pas përpjekjes së dështuar të transferimit të emigrantëve në Shqipëri, riatdhesimit dhe përplasjeve që pasuan me organet e drejtësisë, nuk kanë përfunduar sfidat për qeverinë Meloni, e cila është e gatshme të rikthejë në det anijen “Libra”, të marinës ushtarake që të hënën.
Këtë herë polemikat kanë të bëjnë me kostot e operacionit në Shqipëri. Nën akuzë janë shpenzimet e destinuara për policët që do të angazhohen me sigurinë në dy qendrat e strehimit në Shëngjin dhe Gjadër. Bëhet fjalë për 9 milionë euro në vit, të cilat siç pohojnë mediat italiane do të përdoren për kostot e ushqimit dhe akomodimit për 300 pjesëtarët e forcave të policisë italiane që operojnë në Shqipëri, transmeton A2.
Zgjedhja për t’i akomoduar ata në hotele me 4 yje, përfshirë pishinën, ka nxitur polemika të ndezura. Opozita nuk humbet rastin për t’u hedhur në sulm.
”Marrëveshja me Shqipërinë vazhdon të bëjë dëme. Meloni po djeg miliona të tjerë për të strehuar në hotelet luksoze shqiptare forcat e rendit”, thonë nga Partia Demokratike, shkruan A2.
Në të njëjtën linjë edhe lideri i Italia Viva, Mateo Renzi. “Ata policë, e karabinierë duhet të shërbejnë në rrugët, stacionet e periferitë italiane e jo nëpër resortet shqiptare. Po hedhim paratë për një operacion që nuk shërben për asgjë”, ishin fjalët e tij.
Ndërkohë, “Corriere Della Sera” pretendon se anija me emigrantë Libra do të riniset nga Lampeduza të hënën, në përpjekjen e dyte për të sjellë emigrantët në kampet shqiptare./A2