Prej më shumë se tre orësh grupi i xhirimit dhe gazetarë të A2 CNN, por edhe kolegë nga mediat e tjera që po udhëtojnë drejt Selanikut për të ndjekur takimin e kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë, janë bllokuar nga policia greke në Pikën e Kalimit Kufitarë të Kapshticës.

Gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi sqaroi për “Ditarin e Fundjavës” nga Erion Dushi se doganierët grekë në kufi i ka lënë në pritje ekipet e gazetarëve dhe operatorëve, duke i thënë se presin një autorizim nga Ministria e Jashtme, e madje duke mos ju kthyer mbrapsht as pasaportat e tyre.

Ne ndodhemi që prej orës 15:00 (me orën lokale në Greqi)  këtu në doganën e Kapshticës, në krahun e palës greke, pasi në doganën shqiptare janë ushtruar të gjitha kontrollet dhe kemi kaluar me parametra normalë. Më pas me të mbërritur te autoritetet greke, policia e Greqisë na mori pasaportat. Na  kërkoi nëse kemi ose jo një letër konfirmimi nga ana e Ministrisë së Jashtme greke. Duhet të kujtojmë se ekipi i A2 CNN ka qenë në Greqi në Maj dhe nuk ka kërkuar pala greke asnjë dokument nga Ministria e Jashtme helene, apo autoritetet shqiptare. Megjithatë autoritetet shqiptare i kanë dërguar një notë verbale, që A2 CNN e disponon, Ministrisë së Jashtme greke me listën e emrave të gjithë ekipeve të mediave. Këtu në doganën e Kapshticës ndodhet ekipi i A2 CNN dhe TV Klan që nuk u lejuan të kalojnë. I kemi pyetur se sa do të vonohemi. Ata na kanë deklaruar edhe pak minuta dhe kjo përgjigje erdhi kur kishim 30 minuta që prisnim. Kemi diskutuar me ta dhe u kemi thënë se në Maj ishim në Greqi dhe nuk na kanë kërkuar dokument autorizimi nga Ministria e Jashtme greke, por na kanë thënë se nuk e dimë çfarë bëjnë pikat e tjera. Ne e kërkojmë”, sqaroi gazetarja e A2 CNN, Fjorela Beleshi./A2