Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho reagoi sot në lidhje me rritjen e pensioneve duke e konsideruar rritje me vetëm 25 lekë në ditë.

Në një postim në rrjetet sociale, Xhixho u shpreh se pensionistët janë sot kategoria sociale më e diskriminuar, më e përjashtuar dhe më e varfër e shoqërisë.

“Me rritjen vetëm 25 lekë në ditë, qeveria u tall me 791 mijë pensionistët e vendit. Projektbuxheti i vitit 2025 nuk sjell asnjë shpresë për ta. Indeksimi tjetër në tetor 2025 do të jetë lëmosha e radhës, ndërkohë që çmimet dhe kostoja e jetesës rriten përditë”, u shpreh Xhixho.

Sipas saj, taksat e shqiptarëve nuk janë përdorur për të rritur mirëqenien e pensionistëve dhe të të gjithë qytetarëve.

“Pensionistët shqiptarë janë më të varfrit në rajon me një pension mesatar 170 euro, ndërsa në Kosovë është 340 euro, në Malin e Zi është 450 euro, në Maqedoninë e Veriut është 325 euro dhe në Serbi është 390 euro”, tha Xhixho.

Xhixho tha se Partia e Lirisë e cilëson të shenjtë detyrimin ndaj brezit të pensionistëve, ndaj po punon për një strategji rishikimi për pensionet e tyre.

“Partia e Lirisë do t’u vijë në ndihmë pensionistëve duke u bërë të mundur atyre: dyfishimin e pensioneve dhe rritjen e tyre të barabartë me mesataren e rajonit, bazuar në nivelin e rritjes reale ekonomik; indeksimin e plotë të masës së pensioneve duke e llogaritur indeksimin mbi bazën e inflacionit të artikujve ushqimorë; mbulimin e plotë financiar të të gjithë barnave, që përdoren nga pensionistët dhe të përshkruara me recetë mjekësore”, u shpreh Xhixho./ata