Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi sot projektbuxhetin për vitin 2025 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Malaj tha se, pr.buxheti 2025 mbështet rritje ekonomike të qëndrueshme dhe konsolidimin e vazhdueshëm fiskal, që garantojnë mbështetje të zhvillimit ekonomiko-social të vendit.

Referuar treguesve makroekonomikë, Malaj theksoi se, në skenarin bazë të programimit makrofiskal për vitin 2025, parashikohet që rritja ekonomike të arrijë në nivelin 3.9 %.

Ai tha se, kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, rritja e konsumit edhe nga investimet totale në ekonomi. “Në të njëjtën kohë, presim që edhe kërkesa e huaj neto të kontribuojë pozitivisht, veçanërisht për shkak të rritjes së eksporteve, me një rol të veçantë të sektorit të turizmit”, shtoi Malaj.

Lidhur me risqet për periudhën afatmesme, ministri informoi se ato mbeten të balancuara dhe të menaxhueshme.

“Aktualisht ekonomia është në një moment të mirë, rritja në gjashtëmujorin e parë ishte 3.9%, e ndikuar kryesisht nga shërbimet dhe ndërtimi. Pritshmëritë edhe për tremujorin e tretë janë pozitive, ndaj kemi rishikuar projeksionet për rritjen ekonomike nga 3.7% më 3.9%. Papunësia është ulur, ndërkohë është rritur punësimi dhe pagat”, u shpreh Malaj.

Sipas tij, inflacioni në 9-mujorin 2024 ka zbritur në nivelin 2.3%, ku ndikim të madh në rënien e inflacionit ka dhënë edhe forcimi i monedhës kombëtare. Kursi i forcuar i këmbimit, ka ardhur për shkak të turizmit, remitancave dhe investimeve të huaja direkte.

“Pr/buxheti i vitit 2025, parashikon që viti të mbyllet me suficit prej 0.5 miliardë lekë. Për vitin 2025 presin që niveli i borxhit të zbresë në 55.8% nga 56.3% që e presim në fund të këtij viti. Parashikojmë rritje ekonomike në 3.9%, e ndikuar nga konsumi, nga shërbimet, rritja eksporteve. Rreziqet mbeten të balancuara dhe të menaxhuara” tha Malaj.

Ministri deklaroi se të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë, ose 28.8% e PBB, rreth 40.6 miliardë lekë më shumë se në vitin 2024 dhe shpenzimet publike tejkalojnë shifrën e 8 miliardë eurove./ata