Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Jorida Tabaku u shpreh sot në ceremoninë hapëse të edicionit të nëntë të Shkollës Europiane, se Shqipëria është në një moment të rëndësishëm në raport me BE-në.

Tabaku falënderoi ambasodrin Gonzato për durimin në procesin e integrimit, si edhe për mbështetjen e dhënë ndaj kësaj shkolle. “Kemi pasur shumë punë për të vendosur një axhendë të përshtatshme dhe me prioritet dhe ambasadori nuk hoqi dorë, për të zhvilluar edhe këtë vit me kapacitet të plotë shkollën. Këtë vit kemi një numër rekord pjesëmarrësish, 225 persona, të cilët kanë rezultuar në këtë klasë sot që shpresoj që të jetë më e mira nga të gjitha grupet që ne kemi nisur. Ndodhemi në një moment shumë të rëndësishëm, janë hapur negociatatat dhe ka një sfidë të jashtëzakonshme për administratën publike, bashkitë që do të zbatojnë 70% të legjislacionit europian, por edhe për biznese”, u shpreh Tabaku.

Sipas saj, grupet e negociatave duhet të zgjerohen dhe të përfshijnë të rinjtë.

“Ne jemi edhe në një ndryshim kulturor, element ky që Shqipëria duhet ta përçojë me një forcë pozitive të ndryshimit, në të gjithë sektorët, por sidomos edhe te biznesi. Jemi përpjekur që të kemi përfaqësues nga administrata qendrore, pushteti lokal, por edhe biznesi. Të rinj që sot janë në Dhoma Tregtie, pjesë e sindikatave dhe shpresoj të jenë pjesë e grupeve të negociatave”, tha Tabaku.

Ajo theksoi se ka dhënë ndër vite një kontribut të madh që aktiviteti i kësaj shkolle të vazhdojë, por sot në ditën e ceremonisë së hapjes së edicionit të nëntë, faktori politik sipas saj, pati sërish një ndikim përçarës.

“Axhenda është goxha interaktive edhe me ndihmën e delegacionit të BE-së,  por edhe me ndihmën e ambasadorit, që ju ndihmon që nga rregullat e ligjit deri te pikëpamja e elementëve që duhet të konsiderohen gjatë këtij procesi. Ndodhemi në një moment kur energjia e kujtdo duhet të kanalizohet te këto ndryshime, të nisim një diskutim për kriteret ekonomike, përtej atyre politike. Procesin e integrimit mos ta kemi në letër, por me ndryshime reale për qytetarët shqiptarë. Dua që të rinjtë të kontribuojnë dhe të jetojnë këtu, e të ndikojmë edhe te kthimi i të trurit nga jashtë. Të refuzojmë largimin dhe të kontribuojmë këtu”, u shpreh Tabaku./ata